Skulptorë bore nga e gjithë bota janë mbledhur në verilindje të Kinës, ku po marrin pjesë në konkursin vjetor të skulpturave të borës, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Akullit dhe Borës në Harbin.
Artistët u panë teksa gdhendnin dhe punonin blloqe të mëdha bore për të krijuar dizajne të ndërlikuara, në një garë që nisi të martën dhe po tërheq vëmendjen e mijëra vizitorëve në provincën Heilongjiang, një nga zonat më të ftohta të Kinës. Sipas organizatorëve, këtë vit në konkurs marrin pjesë 25 ekipe nga vende të ndryshme të botës.
Vizitorët e festivalit mund të shohin vepra mbresëlënëse, që variojnë nga forma abstrakte e deri te skulptura figurative, përfshirë një oktapod gjigant dhe një riprodhim të Taj Mahalit, monumentit të famshëm botëror nga India.
Skulptorja holandeze Nina Kieviet, e cila prezantoi veprën “Gjeometria e Rritjes”, tha se dizajni i saj ishte frymëzuar nga formacione natyrore që janë në zhvillim të vazhdueshëm.
Ndërkohë, skulptori belg Frederic Albers, në bashkëpunim me artistin spanjoll Mateu Marcet, realizoi skulpturën me temë oktapodin, të titulluar “Forma pa Formë”, duke theksuar linjat organike dhe detajet e ndërlikuara të tentakulave.
Pjesëmarrësi nga India, Abhinev Acharya, zgjodhi të realizojë Taj Mahalin, duke thënë se ky monument përfaqëson në mënyrë të denjë vendin e tij.
Festivali i Akullit dhe Borës në Harbin nisi zyrtarisht të hënën dhe do të vijojë me aktivitete të shumta deri në muajin shkurt, duke u konsideruar një nga ngjarjet më të mëdha dimërore në Azi./mxh
