Parashikimet sugjerojnë se ngrohja globale mund të krijojë një shkurtore nga Azia drejt Amerikës së Veriut, si dhe rrugë të reja për tregti, transport – dhe sulm.
Gaby Hinsliff*
Edhe një javë tjetër, edhe një fenomen i çuditshëm moti për të cilin ndoshta s’keni dëgjuar kurrë. Nëse nuk është “bomba e motit” me erëra dhe borë ekstreme, për të cilën Britania po përgatitet ndërsa po shkruaj, janë raportimet në Guardian për drerët e Arktikut që po përballen me problemin e kundërt: moti jashtëzakonisht i ngrohtë sjell më shumë shi, i cili më pas ngrin dhe krijon një lloj bore që ata nuk e çajnë dot lehtë me thundrat për të arritur ushqimin. Në një habitat aq të ashpër sa Arktiku, ku mbijetesa varet nga përshtatja e imët, edhe ndryshimet e vogla në modelet e motit kanë pasoja që përhapen pafundësisht – dhe jo vetëm për drerët.
Prej dekadash, politikanët kanë paralajmëruar për luftërat klimatike që po vijnë – konflikte të nxitura nga thatësira, përmbytje, zjarre dhe stuhi, që i detyrojnë njerëzit të lëvizin ose i shtyjnë në konkurrencë me fqinjët për burime natyrore gjithnjë e më të pakta. Për këdo që e ka imagjinuar këtë skenar larg pragut të Evropës me klimë të butë – në shkretëtira të goditura nga thatësira ose në ishuj të Paqësorit që po fundosen ngadalë në det – bisedat këtë javë nga Shtëpia e Bardhë për marrjen e pronësisë së Groenlandës janë një zgjim i ashpër. Siç po u thotë kujtdo që është gati ta dëgjojë Admirali i Parë i Flotës britanike, gjenerali Sir Gwyn Jenkins, shkrirja e veriut për shkak të krizës klimatike ka kohë që ka ndezur një garë të egër në Arktikun që po shkrin, për burime, territor dhe akses strategjikisht jetik drejt Atlantikut. Për të kuptuar se si kjo kërcënon Evropën veriore, shikoni majën e globit, jo një hartë të sheshtë.
Deri në fillim të viteve 2040, parashikimet sugjerojnë se ngrohja globale mund t’i ketë bërë ujërat e ngrira rreth polit të veriut – oqeanin që ndan Rusinë nga Kanadaja dhe Groenlanda – pothuajse pa akull gjatë verës. Kjo hap potencialisht një shkurtore të re nga Azia drejt Amerikës së Veriut, jo rreth mesit të planetit, por mbi krye, duke krijuar rrugë të reja për tregti, transport, peshkim – dhe, më kërcënueshëm, për sulm.
Si pasojë, nga nën akullin që po shkrin po del një teatër i ri konflikti, dhe Kina, Rusia dhe SHBA po përfshihen gjithnjë e më shumë në një betejë për dominim. Ndërkohë, teksa temperaturat në rritje e kthejnë veriun e largët në një shah të autokratëve, territore aq fatkeqe sa të jenë pengesë në këtë rrugë – nga Groenlanda te Kanadaja e deri te arkipelagu norvegjez i Svalbardit, prej kohësh i lakmuar nga Rusia – rrezikojnë të shndërrohen në gurë shahu.
Pothuajse po aq të rrezikshme për këto vende sa kërcënimet që zbardh shkrirja e polit janë, në njëfarë mënyre, edhe mundësitë. Pse, për dreq, SHBA mendon se i duhet të aneksojë Groenlandën mike për të mbrojtur këtë kufi kritik arktik? Në fund të fundit, trupat amerikane janë të stacionuara në këtë territor autonom danez që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe Danimarka e ka bërë të qartë se janë më se të mirëpritur të sjellin edhe më shumë. E vetmja përfitim që vjen realisht vetëm me pronësinë, interesantërisht, janë të drejtat mbi pasuritë nëntokësore që mund të çlirohen teksa ky vend i ngrirë ngrohet.
Groenlanda është një burim i rrallë ende i pashfrytëzuar jo vetëm i naftës dhe gazit, por edhe i mineraleve të tokës së rrallë, të përdorura për gjithçka, nga bateritë e makinave elektrike te procesorët e qendrave të të dhënave – po aq jetike për shpresat amerikane për të fituar një garë teknologjike me Kinën sa ishin goma nga Malaja apo pambuku nga India për ekonomitë koloniale të dikurshme. Edhe pse shpesh është gabim të kërkosh shumë logjikë në atë që duket si çmenduri presidenciale, në orbitën e Trumpit nuk mungojnë ideologë dhe “tech bros” të aftë t’ia lidhin të gjitha këto dhe t’ia shesin atij. Dhe, ndërsa nxjerrja minerare në Arktik mund të mos jetë ekonomikisht e vlefshme për shumë vite, ankesat e Trumpit këtë javë se Groenlanda është “plot me anije kineze dhe ruse kudo” sugjerojnë se dikush e ka bindur se nuk mund t’i lërë rivalët t’ia dalin përpara në një mundësi zhvillimi potencialisht shumë të vlefshme – një koncept që çdo ish-magnat i pasurive të paluajtshme e kupton. Në fund të fundit, në Ukrainë Trump kërkoi të drejta për nxjerrjen e mineraleve të tokës së rrallë në këmbim të garancive të sigurisë, dhe në Gaza ai përfytyroi ndërtimin e hoteleve mbi rrënojat e bombarduara: pse të mos nxirret një fitim i shpejtë nga katastrofa mjedisore?
Dhe ndërsa për britanikët e gjitha kjo duket si një epokë e re perandorie, për besnikët e MAGA-s ndoshta tingëllon si jehonë e një historie shumë amerikane: ajo e kolonëve që bënë pasurinë duke ndjekur karvanët drejt perëndimit, duke shtyrë kufijtë e kombit pa pushim, duke marrë tokat e popujve indigjenë dhe duke u mbajtur fort pas tyre përmes një përzierjeje brutale tregtie dhe dhune. Qëllimi nuk është të pushtohet Groenlanda, shpjegon sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio, por ta blejnë, ose të paktën të marrin me qira akses ekskluziv ushtarak. Është tregues i shpejtësisë marramendëse me të cilën është shembur marrëdhënia e SHBA me aleatët e saj të dikurshëm – në pak më shumë se një vit – që kjo të synojë të jetë qetësuese: hej miq, thjesht duam t’ju shfrytëzojmë, jo t’ju vrasim!
Duke pasur parasysh vëmendjen famëkeqësisht të shkurtër të presidentit, është e vështirë të dihet çfarë fati e pret Groenlandën. Ndoshta ai thjesht do të mërzitet dhe do të kalojë te diçka tjetër, sidomos pasi të kenë mbaruar zgjedhjet afatmesme dhe të ketë më pak nevojë për dramë jashtë vendit për të shpërqendruar nga dështimet brenda. Ose ndoshta Shtëpia e Bardhë do të huazojë nga manuali i Putinit, duke shfrytëzuar dëshirën e groenlandezëve për pavarësi nga Danimarka për të nxitur një lloj trazire të brendshme që sot ndizet lehtësisht në epokën e rrjeteve sociale – përpara se SHBA të shfaqet si shpëtimtarja dashamirëse që hyn në skenë për t’i mbajtur të sigurt dhe për t’i bërë të pasur.
Por sidoqoftë, më mirë të mësohemi me idenë se ky është fillimi, jo fundi, i konflikteve që mund të vijnë teksa ngrohja globale ridizenjon hartat tona, shthur aleanca të vjetra dhe krijon rivalitete të reja vdekjeprurëse për tokë, ujë dhe burime natyrore.
Sigurisht që do të jetë më keq për ata që tashmë jetojnë në kufijtë e qëndrueshmërisë – në shkretëtira tepër të thata për të rritur çfarëdo gjëje, ose në qytete bregdetare që tashmë po luftojnë me rritjen e nivelit të detit, ose në vende shumë të varfra për t’u mbrojtur nga stuhitë gjithnjë e më të dhunshme – sesa për Evropën tonë me fat e klimë të butë. Dhe sigurisht që këto rreziqe mund të menaxhoheshin më mirë nga qeveri bashkëpunuese që e trajtojnë shkrirjen e veriut si një sfidë kolektive për njerëzimin, jo si një garë vdekjeprurëse për avantazh kombëtar.
Por në javën kur Trump njoftoi se SHBA do të tërhiqej nga një sërë nismash ndërkombëtare për klimën, kjo qartazi nuk është bota ku jetojmë. Kështu që, nëse asgjë tjetër, le të shërbejë Groenlanda e përballur me kaq shumë presion si një kujtesë se kriza klimatike do të ketë pasoja gjeopolitike që ende mezi kemi filluar t’i kuptojmë – dhe se çfarëdo që ende mund të bëjmë për të frenuar rritjen e temperaturave ose për të zbutur pasojat e tyre ka rëndësi. Madje, ose ndoshta sidomos, nëse ende nuk mund ta zhbëjmë dëmin që tashmë është bërë me kaq vullnet.
Gaby Hinsliff është kolumniste e Guardian-it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
