Prokurorët zviceranë thirrën pronarët e një bari në stacionin e skive ku një zjarr më 1 janar shkaktoi vdekjen e 40 personave, ndërsa kritikat ndaj tyre rriten për faktin se ende nuk janë arrestuar.
Pronari dhe pronarja francezë, Jacques dhe Jessica Moretti, po hetohen për vrasje nga neglizhenca, ndërsa familjarët e viktimave kanë depozituar kallëzime ligjore për tragjedinë në barin “Le Constellation” në qytetin e Crans-Montana.
Ata nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve teksa hynin në zyrat e prokurorisë në qytetin e afërt Sion, ndërsa autoritetet zvicerane kanë shpallur këtë ditë si ditë kombëtare zie për viktimat.
Pronari dhe pronarja shprehën dhimbjen e tyre dhe deklaruan se do të bashkëpunojnë plotësisht me hetimet. Më shumë se gjysma e të vdekurve ishin adolescentë, ndërsa 116 persona të tjerë u plagosën, shumë prej tyre rëndë.
Sipas dëshmive dhe prokurorëve, zjarri ka nisur nga përdorimi i shkrepësve që ndezën materialin zëmbajtës të vendosur në tavanin e bodrumit. Autoritetet dhe dëshmitarët kanë vënë në dukje mungesën e kontrolleve të sigurisë në bar, të cilat sipas kryetarit të bashkisë ishin të papërfunduara.
Nga viktimat, 21 ishin nga Zvicra, 7 nga Franca, 6 nga Italia, ndërsa njëri kishte dy shtetësi zvicerane-franceze dhe një tjetër franceze-britanike-izraelite.
Presidentët e Francës dhe Italisë pritet të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore që do të mbahet të premten në qytetin e afërt Martigny, për të nderuar dhe kujtuar viktimat e tragjedisë./mxh
