Policia spanjolle arrestoi 34 persona në një operacion kombëtar kundër një bande ndërkombëtare kriminale të njohur si “Black Axe”, e akuzuar për mashtrim, larje parash dhe falsifikim dokumentesh.
Rrjeti kriminal ka origjinën në Nigeri si një shoqëri studentore në vitet ’70, por me kalimin e kohës është kthyer në një organizatë të strukturuar dhe të dhunshme, kryesisht e përfshirë në krime financiare të ndihmuara nga teknologjia dhe interneti.
Arrestimet u kryen në disa provinca të Spanjës, nga Sevila në jug deri në Barcelona në veri-lindje, me mbështetjen e Europol, agjencisë së Bashkimit Europian për bashkëpunimin në zbatimin e ligjit. Operacioni u koordinua gjithashtu me autoritetet në Gjermani si pjesë e një hetimi më të gjerë ndërkombëtar.
Sipas hetuesve, banda rekrutonte “money mules” në zonat e varfra me shkallë të lartë papunësie, duke mashtruar viktimat për më shumë se 5.9 milionë euro.
Autoritetet nënvizojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe teknologjive financiare të paligjshme./mxh
