Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se çështja e sigurisë së Groenlandës po diskutohet aktualisht brenda NATO-s, mes shqetësimeve të ndara nga Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka për mbrojtjen e këtij territori strategjik.
Duke folur për gazetarët gjatë një vizite në Ahmedabad të Indisë, Merz tha se Gjermania është në kontakte të ngushta me qeverinë daneze dhe synon një bashkëpunim të përbashkët për të përmirësuar situatën e sigurisë në Groenlandë.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara pritet të vazhdojnë të luajnë një rol në mbrojtjen e Groenlandës, në bashkëpunim me Danimarkën, ndërsa forma konkrete e këtij angazhimi do të përcaktohet gjatë bisedimeve në ditët dhe javët në vijim.
“Ne ndajmë shqetësimet amerikane se kjo pjesë e Danimarkës ka nevojë për mbrojtje më të fortë”, u shpreh Merz, duke shtuar se synimi është arritja e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha palët brenda aleancës së NATO-s.
Kancelari gjerman bëri të ditur se ministrat e Jashtëm po punojnë intensivisht për këtë çështje dhe se ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ndodhet aktualisht në Uashington, ku do të diskutojë edhe për sigurinë e Groenlandës.
Merz nënvizoi se bashkëpunimi mes aleatëve është thelbësor për stabilitetin në rajon dhe se përfshirja amerikane pritet të sqarohet përmes negociatave të vazhdueshme./MXH
