Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur këtë të diel dëshirën e tij për të marrë kontrollin e Groenlandës, duke e justifikuar këtë qëndrim me shqetësime për sigurinë kombëtare dhe rritjen e aktivitetit ushtarak rus dhe kinez në rajonin e Arktikut.
Duke folur për gazetarët gjatë një udhëtimi me avionin presidencial Air Force One, Trump deklaroi se nëse Shtetet e Bashkuara nuk veprojnë, Rusia ose Kina mund të marrin kontrollin e Groenlandës.
Presidenti amerikan theksoi se bëhet fjalë për blerje të territorit dhe jo për qira apo marrëveshje afatshkurtra, duke përdorur terma nga bota e pasurive të paluajtshme për të përshkruar nevojën për pronësi të plotë.
Trump kujtoi se SHBA tashmë ka baza ushtarake në Groenlandë, por shtoi se prania ushtarake nuk mjafton pa, siç u shpreh ai, “titull pronësie”. Ai la të hapur mundësinë për shtim të trupave amerikane në territor nëse do ta shihte të nevojshme.
Deklaratat e presidentit amerikan kanë shkaktuar reagime dhe shqetësime në arenën ndërkombëtare. Në tregjet financiare, investitorët janë drejtuar drejt arit dhe aksioneve të industrisë evropiane të mbrojtjes, nga frika e një përshkallëzimi gjeopolitik që mund të dëmtojë marrëdhëniet brenda NATO-s dhe rendin global./MXH
