Situata e përmbytjeve në Shkodër është drejt përmirësimit. Në përditësimin e bërë ditën e sotme, thuhet se është tërhequr niveli i ujit në zonat e prekura. Sa i përket situatës në zonën e Obotit, ka një ulje të nivelit të ujit me 20 cm, krahasuar me një ditë më parë. Lëvizja në fshatin Obot bëhet me mjetet e ushtrisë.
Njoftimi për situatën
Nga monitorimi i vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e përmirësuar, me reduktim të ndjeshëm të sipërfaqes së tokës bujqësore me prezencë uji, nga rreth 760 ha ditën e djeshme në 590 ha sot, si rezultat i tërheqjes së niveleve të ujit në zonat e prekura.
Sipas matjeve të realizuara sot në orën 06:30, nivelet e ujit janë në rënie:
Buna – Ura e Pazarit: 8.40 m
Drini – Bahçallëk: 7.80 m
Buna – Dajç: 6.38 m
Në fshatin Obot dhe Njësinë Administrative Dajç është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 20 cm, krahasuar me ditën e djeshme. Po ashtu, vihet re zbritje e nivelit edhe në liqen, duke ndikuar pozitivisht në normalizimin e situatës.
Në rrugën drejt fshatit Obot, qarkullimi sot realizohet me mjete të ushtrisë, duke garantuar lëvizjen dhe aksesin për banorët dhe shërbimet.
Sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji (ha):
Bërdicë: 10 ha
Velipojë: 90 ha
Dajç: 70 ha
Ana e Malit: 420 ha
Totali: 590 ha
Reduktimi i sipërfaqes së përmbytur konfirmon trendin pozitiv dhe stabilizimin gradual të situatës.
Mjetet dhe strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri, ndërsa monitorimi i situatës hidrologjike vazhdon pa ndërprerje./K.M
