Marina Mbretërore e Britanisë njoftoi të premten se helikopteri i saj i parë autonom me madhësi të plotë, i quajtur Proteus, ka kryer me sukses fluturimin e tij të parë testues. Ky është një hap i rëndësishëm për teknologjitë e reja ushtarake në mes të tensioneve të rritura në Oqeanin Atlantik verior.
Ky helikopter është zhvilluar me një program prej 60 milionë paundësh dhe është pjesë e përpjekjeve të Britanisë dhe aleatëve të NATO-s për të përballuar “kërcënimet në zhvillim” nga nënujëset dhe aktivitetet detare në rajon.
Proteus është projektuar të kryejë misione me rrezik të lartë, si lufta kundër nënujësave, patrullimet e gjera të detit dhe gjurmimi i objekteve nënujore – pa pilotë brenda, duke përdorur sensorë dhe sisteme kompjuterike të avancuara për të interpretuar mjedisin dhe për të marrë vendime autonomisht.
Gjatë fluturimit të tij të parë testues, Proteus u ngrit nga një bazë dhe kreu një rutinë të shkurtër testimi nën mbikëqyrje të pilotëve në tokë, duke demonstruar aftësinë e sistemit për të fluturuar i pavarur.
Kjo pajisje është më e madhe dhe më komplekse se dronët e vegjël të përdorur deri tani, dhe shërben si një hap drejt një “krahu ajror hibrid” – ku mjetet autonome fluturojnë së bashku me aeroplanët tradicionalë për të rritur kapacitetet mbrojtëse të flotës.
Zhvillimi i Proteus-it reflekton rritjen e investimeve në teknologjitë e mbrojtjes dhe nevojën për monitorimin e zonave detare strategjike, veçanërisht në Atlantikun verior./mxh
