Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka theksuar se Danimarka nuk mund të negociojë mbi sovranitetin, identitetin, kufijtë dhe demokracinë e saj, duke u shprehur se këto janë vlera themelore që nuk janë të negociueshme. Deklarata u bë gjatë një seance në Parlamentin danez, pas tensioneve të krijuara nga deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump mbi Groenlandën.
Frederiksen paralajmëroi se situata nuk ka arritur ende kulmin e saj dhe se “më e keqja nuk është pas nesh, por përpara nesh”, duke iu referuar pretendimeve të Trump për të marrë kontrollin e ishullit Arktik, pjesë e mbretërisë daneze, madje duke mos përjashtuar përdorimin e forcës.
“Për ne nuk mund të negociohet mbi vlerat tona themelore – sovranitetin, identitetin e vendeve tona, kufijtë dhe demokracinë.”
Kryeministrja Daneze tha gjithashtu se situata është më e gjerë se Danimarka dhe Groenlanda, duke e vënë në kontekst të rendit global dhe rëndësisë strategjike të rajonit.
“Po bëhet gjithnjë e më e qartë se kjo nuk ka të bëjë vetëm me Mbretërinë e Danimarkës dhe të ardhmen e Groenlandës, por me një rend botëror.”
Frederiksen shtoi se Danimarka ka një dialog të ngushtë me liderët e partive në parlament dhe se vendi po bashkëpunon ngushtë me Europën për të shmangur fillimin e një lufte tregtare, duke iu referuar kërcënimeve me tarifa nga SHBA, të parashikuara për 1 shkurt. Ajo paralajmëroi gjithashtu se nëse dikush nis një luftë tregtare kundër Evropës, Danimarka dhe BE do të përgjigjen me mjete të duhura.
“Çfarë po bëjmë tani ka të bëjë me shmangien e një lufte tregtare, që tarifat të mos vendosen. Por nëse dikush fillon një luftë tregtare kundër nesh, sigurisht që do të përgjigjemi.”
Kjo situatë ka rritur tensionet brenda aleancës NATO, pasi synimi i SHBA për Groenlandën kërcënon unitetin e aleancës dhe ka rihapur shqetësimet mbi një luftë tregtare me Evropën, që pati tronditur tregjet dhe kompanitë vitin e kaluar./mxh
