Last Updated on 20/01/2026 by EL
Gjykata Penale ka dënuar ditën e sotme me 23 vite burg për ish-policin Tomor Çelën, i cili është akuzuar për vrasjen e dy personave në vitin 1997.
Tomor Çela, më 27 nëntor të 1997, rreth orës 20:30 në lagjen nr.9, rruga B.Curri, ka qëlluar me armë zjarri automatike, të cilin e ka pasur nga koha kur punonte efektiv policie, qëlloi për vdekke Elton Danin dhe Ledian Hoxhën.
Ish–polici u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri më 2 qershor 2022.
Ndërsa pas ekstradimit në vendin tonë, ish-efektivi i policisë, kishte kërkuar rigjykim të çështjes, por trupa gjykuese vendosi të lërë në fuqi të njëjtin vendim të dhënë më herët.
Tomor Çela ka punuar si punonjës policie në Komisariatin e Policisë Nr.4 Tiranë, detyrë nga e cila është liruar më datë 15.06.1997.
Si ka ndodhur ngjarja 28 vite më parë, në Tiranë
Më 27 Nëntor 1997, Tomor Çela ishte duke lëvizur në rrugën “Bajram Curri” në kryeqytet me mjetin e tij, një Mercedes Benz 240-ç, kur është përplasur me një makinë tjetër. Mjeti i dytë drejtohej nga i riu Ledian Hoxha dhe pasagjer ishte shoku i tij, Elton Dani.
Dy shoferët kanë nisur të debatojnë pas aksidentit. Ish-polici Tomor Çela ka nxjerr armën e zjarrit dhe ka qëlluar drejt dy të rinjve, duke i lënë të vdekur në vend, shkruan newsbomb.al. Menjëherë ai është larguar nga vendi i ngjarjes, bashkë me të vëllanë.
Në vitin 2009, Gjykata e Tiranës e ka shpallur fajtor 59 vjeçarin dhe e ka dënuar me 23 vite burg. Ky vendim i shkallës së parë është ankimuar në Apel, por togat e zeza nuk kanë ndryshuar vendim, duke lënë në fuqi dënimin me 23 vite burg.
Dosja është dërguar në shkallën e fundit në drejtësisë, në Gjykatën e Lartë, e cili në vitin 2011 ka kërkuar që ajo të rigjykohet. Megjithatë, Tomor Çela do të mbahet në burg deri në vendosjen e një dënimi përfundimtar, për vrasjen e Ledian Hoxhës dhe Elton Danit.
Si rezultat i një operacioni 1-vjeçar, të kryer në bashkëpunim nga Interpol Tirana me Zyrën e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e SHBA në Tiranë (DSS), sot u bë i mundur deportimi nga Amerika drejt vendit tonë, për t’u përballur me organet shqiptare të drejtësisë./et
