Tetiana shpërtheu në lot ndërsa fliste për shtëpinë e saj pranë urës Antonivskyi, e vetmja rrugë që lidh qytetin jugor ukrainas të Khersonit me bregun lindor të Dnjipros, të kontrolluar nga Rusia. “E shoh lagjen time vetëm në videot që shpërndajnë vullnetarët dhe mezi pres të kthehem në shtëpi,” tha ajo për Reuters.
Kherson, kryeqyteti rajonal i një zone pjellore të njohur për shalqinjtë dhe fushat e thatë nga dielli, është pothuajse i zbrazur. Popullsia e tij ka rënë nga afro 300,000 para pushtimit të plotë rus në vitin 2022, në rreth 60,000 sot.
Banorët dhe zyrtarët raportojnë se civilët po vriten ose plagosen pothuajse çdo ditë, ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet në qytet me bomba të hedhura nga ajri dhe dronë të telekomanduar.
Në rrugët e heshtura të qytetit, banorët përshkruajnë një jetë që balancohet midis rutinës dhe mbijetesës nën kërcënimin e përhershëm të bombardimeve. “Sigurisht që është e rrezikshme. Por njerëzit që jetuan gjatë okupimit, përfshirë edhe mua, janë mësuar me të dhe shpesh nuk i kushtojnë vëmendje rreziqeve. Kur diçka fluturon mbi kokë, megjithatë, ne kërkojmë strehim,” tha Dmytro.
Ndërtesat e dëmtuara banesore rrijnë përgjatë rrugëve të zbrazura, me dyer dhe dritare të mbuluara me pllaka druri, ndërsa disa mure kanë vrima të mëdha. “Njerëzit janë mësuar me gjithçka… më shqetësoi sa të pakujdesshëm janë bërë,” tha Volodymyr, duke shtuar se sulmet kanë shkaktuar mungesa të ujit, energjisë dhe ngrohjes.
Rusia mohon të ketë synuar civilët dhe thotë se godet vetëm infrastrukturën ushtarake. Moska pretendon se Krimea, Donetsku, Luhansk, Khersoni dhe Zaporizhia janë tashmë pjesë e saj, një pretendim që Ukraina e refuzon dhe që nuk e njohin shumica e vendeve./mxh
