Ky filmim tregon momente nga rrëshqitjet masive të tokës që kanë prekur qytezën e Nishemit, në jugperëndim të Siçilisë.
Prej të dielës, qyteza e ngritur në një pllajë mbi 300 metra mbi nivelin e detit po përballet me rrëshqitje të tokës që mëngjesin e kësaj të hëne u intensifikuan dhe kanë arritur buzë shtëpive të banorëve, duke shembur disa prej tyre e duke rrezikuar të tjera, siç duket edhe në këto pamje.
Autoritetet kanë evakuuar deri më tani rreth 1 500 banorë dhe kanë krijuar një zonë sigurie rreth 150 metra, në drejtimin nga po përparon rrëshqitja e tokës. Rrëshqitjet kanë prekur një hapësirë prej 4 kilometrash dhe kanë krijuar një greminë me thellësi 6 metra.
Ekipet e emergjencës janë vënë në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë të gjithë banorëve të qytetit, të cilët nuk e fshehin irritimin për këtë situatë.
Kjo nuk është hera e parë që qyteza përballet me situata të tilla, pasi toka përbëhet nga një lloj argjile e butë. Një tjetër rrëshqitje e madhe ndodhi edhe në vitin 1997./kb
