Këshilltari për politikën e jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov, ka deklaruar se Rusia nuk e ka përjashtuar kurrë mundësinë e një takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelenskiy, por theksoi se një takim i tillë duhet të jetë i përgatitur mirë dhe të sjellë rezultate konkrete.
Duke folur për televizionin shtetëror rus, Ushakov u shpreh se presidenti Putin ka deklaruar disa herë se, nëse Zelenskiy është i gatshëm për një takim, ai mund të vijë në Moskë, ku do t’i garantohej siguria personale dhe të gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin e bisedimeve.
“Nëse Zelenskiy është gati për një takim të tillë, ai mund të vijë në Moskë dhe siguria e tij personale, si dhe të gjitha kushtet e punës, do të garantohen,” tha Ushakov.
Nuk është hera e parë që Moska hedh idenë e një takimi mes dy liderëve në kryeqytetin rus. Një propozim i ngjashëm ishte refuzuar vitin e kaluar nga presidenti ukrainas, i cili sugjeroi që Vladimir Putin të shkonte në Kiev.
Ndërkohë, sipas një zyrtari amerikan që foli në mënyrë anonime për median Axios, Zelenskiy dhe Putin janë “shumë pranë” organizimit të një takimi, pas bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, të zhvilluara javën e kaluar në Abu Dhabi./mxh
