Këngëtari amerikan Chris Brown është paraqitur të mërkurën në një gjykatë në Londër për një seancë të shkurtër paraprake, përpara nisjes së gjyqit të tij më vonë gjatë këtij viti, lidhur me akuzat për sulm ndaj një producenti muzikor në një klub nate në Londër.
Brown ka mohuar akuzën për tentativë për shkaktim të dëmtimit të rëndë trupor, si edhe një akuzë më të lehtë për sulm që ka shkaktuar lëndime, për një incident që prokuroria e cilëson si një “sulm të paprovokuar” me shishe, të ndodhur në vitin 2023.
36-vjeçari u paraqit në Gjykatën e Kurorës Southwark në Londër, ku foli vetëm për të konfirmuar identitetin e tij. Ai hyri në bankën e të akuzuarve dhe shtrëngoi duart me bashkë të pandehurin Omololu Akinlolu, 39 vjeç, i cili gjithashtu ka mohuar akuzat ndaj tij.
Rreth një duzinë mbështetësish ndodheshin në sallën e gjyqit dhe përshëndetën këngëtarin teksa ai u largua nga banka e të akuzuarve.
Gjyqi ndaj dy të pandehurve pritet të nisë në muajin tetor, ndërsa të dy janë liruar me kusht deri në një seancë tjetër paraprake, e planifikuar për muajin prill.
Chris Brown, fitues i dy çmimeve Grammy dhe i njohur për hitet “Loyal”, “Run It” dhe “Under the Influence”, ishte liruar me kusht në muajin maj, pasi pagoi një garanci prej 5 milionë paundësh, për t’i mundësuar nisjen e turneut të tij “Breezy Bowl XX”, i cili përfundoi në tetor.
Ylli i R&B-së u arrestua vitin e kaluar në një hotel në Mançester, në veri të Anglisë, pasi u rikthye në Britani për herë të parë që nga incidenti./mxh
