Dymbëdhjetë persona kanë mbetur të vrarë nga një sulm me dron rus pranë një autobusi të një kompanie në Ukrainën lindore. Sipas raportimeve paraprake shtatë të tjerë u plagosën nga sulmi në rrethin Pavlohrad.
Kështu ka njoftuar në Telegram shefi i administratës ushtarake rajonale Oleksandr Ganzha, i cili bëri me dije se kanë nisur hetimet për sulmin.
“Po hetojmë detajet. Një alarm ajror është duke u zhvilluar në rajon”, u shpreh Ganzha.
Kompania e energjisë DTEK tha se automjeti po transportonte punëtorët e saj nga një minierë në rajon, pasi kishin përfunduar turnin e tyre.
Kjo ngjarje vjen pasi të paktën nëntë persona u plagosën në sulme herët të dielën, sipas zyrtarëve lokalë. Gjashtë persona u plagosën në një sulm me dron në një maternitet në Zaporizhzhia, përfshirë dy gra që po i nënshtroheshin ekzaminimeve mjekësore kur u godit objekti./mxh
