Presidenti rus Vladimir Putin po abuzon me bisedimet për armëpushim për të vazhduar sulmet ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë. Kështu deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Anitta Hipper.
Sipas saj, nuk ka asnjë palë që dëshiron më shumë paqen sesa Ukraina, ndërsa Bashkimi Evropian po punon vazhdimisht për arritjen e saj përmes mbështetjes së vazhdueshme politike, ushtarake dhe financiare. Hipper theksoi se BE-ja është donatori kryesor për Ukrainën, duke kontribuar deri tani rreth 193 miliardë euro, si dhe duke u angazhuar për garanci sigurie përmes të ashtuquajturit “Koalicioni i të Vullnetshmëve”.
“Putin mund ta përfundojë këtë luftë menjëherë, por nuk po tregon asnjë shenjë se dëshiron ta bëjë këtë. Ai po keqpërdor edhe diskutimet për armëpushim për të sulmuar vazhdimisht infrastrukturën civile dhe për të vrarë civilë të pafajshëm”, u shpreh Hipper.
Deklaratat vijnë në të njëjtën ditë kur negociatorë nga Ukraina dhe Rusia nisën një raund të dytë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara në Abu Dhabi, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Bisedimet zhvillohen pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy akuzoi Rusinë se ka shfrytëzuar një armëpushim të përkohshëm për energjinë, të mbështetur nga SHBA, për të grumbulluar municione dhe për të ndërmarrë sulme masive, përfshirë një sulm me numër rekord raketash balistike më 3 shkurt.
Ndërkohë, pavarësisht presionit të vazhdueshëm nga administrata amerikane për arritjen e një kompromisi mes Kievit dhe Moskës, palët mbeten ende larg marrëveshjes për pikat kyçe të konfliktit, i cili nisi me pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022./mxh
