Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se ndjen keqardhje për emërimin e Peter Mandelson si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara, duke e akuzuar atë se ka gënjyer në mënyrë të përsëritur për lidhjet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
Duke folur në Parlament, Starmer tha se zbulimi se një ministër kabineti kishte rrjedhur informacione të ndjeshme në kulmin e krizës financiare të vitit 2008 ishte “tej mase zemërues”. Sipas tij, Mandelson kishte tradhtuar vendin, Parlamentin dhe Partinë Laburiste, duke fshehur për vite me radhë thellësinë e marrëdhënies së tij me Epstein.
Kryeministri konfirmoi se materialet lidhur me këtë çështje i janë referuar policisë dhe se tashmë ka nisur një hetim penal për dyshime mbi shpërdorim detyre. Ai shtoi se ka urdhëruar përgatitjen e një projektligji për heqjen e titullit fisnik të Mandelson dhe për masa më të gjera ligjore ndaj anëtarëve të diskredituar të Dhomës së Lordëve.
Starmer bëri të ditur gjithashtu se, me miratimin e Mbretit Charles, Mandelson është hequr nga lista e Këshilltarëve të Kurorës, duke argumentuar se ai ka dëmtuar rëndë reputacionin e këtij institucioni.
Ndërkohë, liderja e opozitës, Kemi Badenoch, pyeti kryeministrin nëse kishte dijeni për vazhdimin e miqësisë së Mandelson me Epstein edhe pas dënimit të këtij të fundit. Starmer u përgjigj se ajo që nuk dihej ishte “thellësia dhe shtrirja reale” e kësaj marrëdhënieje, e cila, sipas tij, ishte keqinterpretuar qëllimisht për vite me radhë.
Autoritetet britanike po hetojnë akuzat se Mandelson ka rrjedhur informacione të ndjeshme për tregjet financiare drejt Epstein. Pas shpërthimit të skandalit, Mandelson ka dhënë dorëheqjen nga Dhoma e Lordëve dhe është larguar edhe nga Partia Laburiste, duke deklaruar se e bëri këtë për të shmangur “turpërime të mëtejshme”.
Skandali u thellua pas publikimit të dokumenteve të reja që hedhin dritë mbi lidhjet e ngushta të Mandelson me Epstein, përfshirë mesazhe dhe pretendime për përfitime financiare, duke shkaktuar një nga krizat më të forta politike për qeverinë britanike muajt e fundit./mxh
