Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, po kërkon të ulë tensionet pas protestave në Minesota në lidhje me operacionet antiimigracion, pas vdekjes së dy qytetarëve amerikanë.
“Mësova se ndoshta mund të na duhej një qasje pak më e butë,” deklaroi Trump për NBC News.
“Mësova se ndoshta mund të na duhej një qasje pak më e butë, por prapëseprapë duhet të jesh i ashpër. Ne jemi tërësisht të përqendruar te kriminelët, kriminelë vërtet të këqij”.
Trump u ndal edhe tek vrasja e Alex Pretti dhe Renee Good në Minneapolis, për të cilët u shpreh jo i kënaqur.
“Unë nuk jam i kënaqur me të dy incidentet që ndodhën atje. Ai nuk ishte një engjëll, dhe ajo nuk ishte një engjëll. Shikoni disa kaseta nga mbrapa, por prapëseprapë, nuk jam i kënaqur. Ishin dy incidente shumë të trishtueshme”.
Komentet e shefit të Shtëpisë së Bardhë vijnë pasi Cari i kufirit amerikan, Tom Homan, njoftoi tërheqjen e 700 agjentëve federalë të imigracionit nga Minneapolis.
Vendosja e ICE në Minesota ka shkaktuar protesta të ashpra për disa ditë me radhë, ku banorët kanë shprehur zemërimin e tyre përmes thirrjeve të vazhdueshme për largimin e agjentëve federalë nga zona./mxh
