Mbreti Charles i Tretë ka folur për herë të parë mbi përfshirjen e vëllait të tij, ish-princit Andrew, në skandalin “Epstein”, i cili ka lëkundur fuqishëm rangjet më të larta të politikës dhe monarkisë në Britaninë e Madhe.
Zëdhënësit e pallatit Buckingham shprehën për mediat në emër të tij “shqetësim të thellë” dhe gatishmëri të plotë për të mbështetur policinë në hetimet ndaj Andrew Mountbatten-Windsor, i cili tashmë është zhveshur nga të gjitha funksionet dhe titujt mbretërorë.
“Ndërkohë që pretendimet specifike në fjalë duhet t’i adresojë z. Mountbatten-Windsor, nëse na kontakton Policia e Luginës së Tamizit, ne jemi të gatshëm t’i mbështesim ata sipas pritshmërive.”, thuhet në deklaratën e pallatit mbretëror.
Ndërkaq, kryeministri Keir Starmer ndodhet nën një presion të jashtëzakonshëm për të dhënë dorëheqjen. Atij i ngarkohet përgjegjësia direkte për emërimin e Lordit Peter Mandelson nga radhët e laburistëve të tij si ambasador në SHBA në fillim të vitit 2025, pavarësisht se ky i fundit njihej si mik i afërt i pedofilit Jeffrey Epstein.
Situata në Downing Street mbetet kritike pas dorëheqjeve brenda 24 orëve të shefit të kabinetit dhe drejtorit të komunikimit, Tim Allan. Ndërsa opozita konservatore flet për një “anije që po mbytet”, edhe Princi William dhe Princesha Catherine kanë shprehur shqetësimin e tyre të lartë, duke u pozicionuar hapur në krah të viktimave të abuzimit, në dritën e fakteve të reja tronditëse që po dalin nga arkivat e deklasifikuara të Epstein./kb
