Shira të rrëmbyer që kanë goditur Portugalin për javë të tëra përmbytën disa zona rurale në veri të vendit këtë të mërkurë, më 11 shkurt, duke rrezikuar shembjen e digave pranë qytetit mesjetar të Coimbrës dhe duke detyruar autoritetet të evakuojnë rreth 3,000 banorë si masë paraprake.
Një seri stuhish vdekjeprurëse ka përfshirë kryesisht zonat qendrore dhe jugore të Portugalisë që nga fundi i janarit, duke rrëzuar çatitë e shtëpive, përmbytur qytete të tëra dhe lënë qindra mijëra njerëz pa energji elektrike për disa ditë. Të paktën 15 persona humbën jetën si pasojë e këtyre stuhive, duke përfshirë viktima indirekte.
Ndërsa stuhitë lehtësuan këtë javë, një fenomen meteorologjik i quajtur “rrjedha atmosferike”, një korridor i gjerë avulli i ngarkuar me lagështi nga tropiket, solli reshje të reja të dendura, duke prekur më shumë pjesën veriore të vendit.
Autoritetet komunale në Coimbra urdhëruan të martën në mbrëmje evakuimin paraprak të rreth 3,000 personave nga periferi që rrezikojnë më shumë përmbytjen nga lumi Mondego. Operacioni vazhdoi edhe të mërkurën, me policinë që kontrollonte derë më derë dhe transportonte banorët në strehimore.
Një pjesë e murit të lashtë të qytetit, mbi një kodër në një nga qytetet më të vjetra universitare të Europës dhe zonë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, u shemb, duke bllokuar rrugën poshtë dhe duke detyruar mbylljen e tregut dhe bashkisë./mxh
