Last Updated on 17/02/2026 by Anisa
Një sërë shtetesh të rajonit, por edhe vende si Pakistani dhe Indonezia, dënojnë vendimin e qeverisë izraelite për të regjistruar zona në Bregun Perëndimor si “pronë shtetërore”. Reagimet vazhdojnë pas vendimit të qeverisë izraelite për të regjistruar sipërfaqe të mëdha në Bregun Perëndimor si “pronë shtetërore”, një veprim që ndërmerret për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të territoreve palestineze në vitin 1967.
Që nga viti 1967 e deri më sot, operacionet izraelite nuk janë ndalur në territoret e Bregut Perëndimor, me aneksime zonash dhe izolim të një pjese nga tjetra. Tashmë, qeveria Netanyahu po legjitimon praktikën e vendbanimeve dhe të zhvendosjes, në një kohë kur merr pjesë në Këshillin e Paqes të Trump për Gazën.
Siç është raportuar, shumica e tokave palestineze nuk janë të regjistruara zyrtarisht, pasi procesi është i gjatë dhe i ndërlikuar dhe Izraeli e ka ndërprerë atë që në vitin 1967. Regjistrimi i tokës përcakton pronësinë e përhershme. E drejta ndërkombëtare parashikon se një fuqi pushtuese nuk mund të konfiskojë apo të kolonizojë tokë në territore të pushtuara.
Letëra e përbashkët e tetë vendeve myslimane
Ministrat e Jashtëm të Turqisë, Egjiptit, Arabisë Saudite, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Indonezisë dhe Pakistanit theksojnë në deklaratën e tyre të përbashkët se masat izraelite synojnë vendosjen e “sovranitetit të paligjshëm izraelit”, forcimin e aktiviteteve të vendbanimeve dhe imponimin e një realiteti të ri ligjor dhe administrativ në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke i cilësuar këto veprime si të paligjshme dhe në shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Ministrat i referohen gjithashtu Rezolutës 2334 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila dënon veprimet që synojnë ndryshimin e përbërjes demografike dhe statusit të Bregut Perëndimor. BE-ja i bëri thirrje Izraelit të tërheqë vendimin e tij, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i dënoi këto veprime si të paligjshme.
“Nisma të tilla, përfshirë praninë e vazhdueshme të Izraelit në Territoret e Pushtuara Palestineze, nuk janë vetëm destabilizuese, por siç ka rikujtuar Gjykata Ndërkombëtare janë gjithashtu të paligjshme”, theksohet në deklaratë./fjala.al- A.D
