Një peshkop katolik polak doli këtë të mërkurë para gjykatës, i akuzuar se ka vonuar raportimin në polici të rasteve të abuzimit seksual ndaj të miturve nga priftërinj në dioqezën e tij, duke u bërë zyrtari më i lartë i Kishës në Poloni që përballet me një proces të tillë penal.
Peshkopi Andrzej Jez u paraqit në Gjykatën e Qarkut në Tarnow, në jug të vendit, ku deklaroi se është i pafajshëm për akuzat se nuk ka njoftuar menjëherë autoritetet për abuzimet ndaj fëmijëve nën moshën 15 vjeç nga dy priftërinj. Sipas agjencisë shtetërore polake PAP, Jez ka këmbëngulur se në të dyja rastet ka informuar policinë.
Jashtë gjykatës, Lilianna Kupaj, e cila thotë se është abuzuar seksualisht nga një tjetër prift i dioqezës së Tarnowit kur ishte tetë vjeç, u shpreh mes lotësh se “më në fund drejtësia ka ardhur”.
Në seancë, peshkopi shprehu keqardhje për viktimat. “Më vjen keq dhe kërkoj falje ndaj të gjithë atyre që janë dëmtuar dhe kanë vuajtur për shkak të kësaj,” citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se pedofilia, veçanërisht brenda Kishës, është e dënueshme dhe duhet luftuar me vendosmëri.
Nëse shpallet fajtor, Jez rrezikon deri në tre vite burgim.
Rasti ka tronditur sërish autoritetin e Kishës Katolike në Poloni, një nga vendet më besimtare në Evropë. Vetëm gjatë vitit 2024, një peshkop dhe një arqipeshkëv dhanë dorëheqjen për neglizhencë në trajtimin e rasteve të abuzimit seksual.
Sipas një sondazhi të realizuar në vitin 2025 nga instituti IBRiS, besimi i polakëve tek Kisha Katolike ka rënë ndjeshëm, nga 58 për qind në vitin 2016 në vetëm 35 për qind, duke reflektuar ndikimin e thellë që këto skandale kanë pasur në shoqërinë polake./mxh
