Një tragjedi është shënuar në një minierë në Nigeri. Të paktën 37 minatorë kanë vdekur nga një rrjedhje e dyshuar e monoksidit të karbonit në një minierë plumbi dhe zinku në shtetin Plateau të Nigerisë qendrore.
Dyshohet se gazi toksik është grumbulluar nën tokë në tunelet e ajrosura dobët, duke bërë që punëtorët të humbin jetën pak para përfundimit të turnit të tyre të natës.
Ata u gjetën nga kolegët e tyre që po paraqiteshin për të nisur punënnë mëngjes. Ndërkohë më shumë se 20 minatorë të tjerë u shpëtuan dhe u dërguan me urgjencë në spital për trajtim. Personeli i sigurisë ka mbyllur minierën, e cila ndodhet rreth 200 km në juglindje të kryeqytetit të shtetit Jos, ndërsa hetimet kanë filluar për të zbuluar shkakun e rrjedhjes së gazit.
Safiyanu Haruna, një nga minatorët që gjeti trupat në fillim të turnit të tij, i tha BBC-së se disa nga minatorët që ishin nën tokë mbijetuan dhe u dërguan në një spital në Wase për trajtim.
Sipas Harunës, incidenti ndodhi rreth orës 06:30 sipas orës lokale. Ai tha se minatorët sapo kishin mbaruar së kryeri lutjet e tyre myslimane në mëngjes dhe ishin kthyer nën tokë për të përfunduar turnin e tyre.
Fatkeqësitë në miniera ndodhin shpesh në Nigeri. Më pak se dy vjet më parë, dhjetëra minatorë ari vdiqën pasi mbetën të bllokuar nën tokë kur një gropë u shemb në shtetin fqinj të Nigerit. Zyrtarët besojnë se incidenti u shkaktua nga shirat e rrëmbyeshëm që kishin zbutur tokën./mxh
