Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në një familje shqiptare në Itali, ku një 20-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë brutale ndaj nënës së tij gjatë darkës së ditëlindjes dhe më pas është zhdukur. I riu është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa hidhej në det në zonën portuale të Civitanovës.
Sipas mediave italiane, i riu, Rikardo Merkuri, rezulton i zhdukur që prej pasdites së djeshme. Në operacionin e kërkimit janë angazhuar zjarrfikësit me njësinë e zhytësve nga Teramo, Garda Bregdetare dhe karabinierët. Autoritetet shpresojnë se ai mund të ketë dalë në një tjetër pikë të basenit portual dhe të jetë larguar në gjendje shoku, megjithatë nuk përjashtohet edhe skenari më i rëndë.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, episodi i dhunës ndodhi të premten rreth orës 21:00. Në banesë ndodheshin vetëm 20-vjeçari dhe nëna e tij, Albana Kastriot, pronare e një qendre estetike. Babai, Mario Merkuri, sipërmarrës në fushën e ndërtimit, dhe djali tjetër i familjes nuk ndodheshin në shtëpi. Një fqinje, e alarmuar nga britmat, njoftoi menjëherë karabinierët.
Kur policia mbërriti në vendngjarje, i riu ishte larguar, ndërsa gruaja u gjet pa ndjenja në banjë. Ajo kishte pësuar dhunë të rëndë dhe u transportua me urgjencë në spitalin e Maceratës, ku mjekët konfirmuan frakturë në nofull. Gjendja e saj është e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Kërkimet për 20-vjeçarin nisën menjëherë. Ai dyshohet për plagosje të rëndë me rrethana rënduese. I riu ishte larguar me automjetin e tij, një Mercedes Classe A, duke lënë telefonin celular në shtëpi, i cili u sekuestrua nga hetuesit.
Makina u gjet e parkuar pranë hyrjes së portit të Civitanovës. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë të riun teksa hyn në zonën portuale dhe më pas hidhet në det. Ai shihet duke dalë në sipërfaqe, ngjitet sërish dhe hidhet edhe një herë më tej. Pas këtij momenti, nuk shfaqet më në pamje.
Autoritetet vijojnë operacionin e kërkimit për gjetjen e 20-vjeçarit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes./mxh
