Ukraina prej plot 4 vitesh ndodhet në konflikt me Rusinë dhe pasojat janë mjaft të mëdha.
Sipas një raporti të publikuar të hënën, 23 shkurt, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sulmet ndaj sistemit shëndetësor në Ukrainë u rriten me gati 20% gjatë vitit 2025, krahasuar me një vit më parë.
Që nga 24 shkurti 2022, janë dokumentuar të paktën 2 mijë e 881 sulme ndaj kujdesit shëndetësor në Ukrainë, duke prekur punonjës shëndetësorë, spitale, ambulanca dhe magazina mjekësore. Gjatë katër viteve të fundit, 233 punonjës dhe pacientë janë vrarë dhe 930 të tjerë janë plagosur në këto sulme, të cilat përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Vetëm në tremujorin e tretë të vitit 2025 u regjistruan 184 sulme, që lanë 12 viktima dhe 110 të plagosur, mes tyre punonjës shëndetësorë dhe pacientë. Në të njëjtën kohë, sulmet ndaj magazinave mjekësore janë trefishuar krahasuar me vitin 2024, duke ndërprerë zinxhirët e furnizimit me barna dhe pajisje jetike.
“Pas katër vitesh lufte, nevojat shëndetësore po rriten, por shumë njerëz nuk po marrin kujdesin e nevojshëm, pjesërisht sepse spitalet dhe klinikat sulmohen rregullisht”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke theksuar se “ilaçi më i mirë është paqja”.
Infrastrukturë e shkatërruar, pasoja të thella për shëndetin
Shërbimet shëndetësore po përballen me presion në dy fronte, sulmet direkte ndaj institucioneve mjekësore dhe efektet zinxhir të goditjeve ndaj infrastrukturës civile, përfshirë termocentralet që mbështesin rrjetin energjetik të vendit.
Dimri i fundit është cilësuar si më i ashpëri që nga fillimi i luftës.
Sulmet e përsëritura ndaj infrastrukturës energjetike lanë miliona qytetarë pa ngrohje, energji elektrike dhe ujë të pijshëm.
Në janar 2026, një sulm në Kiev la afro 6 mijë ndërtesa pa ngrohje në temperatura nën zero, duke detyruar rreth 600 mijë banorë të largohen nga kryeqyteti.
Sipas një vlerësimi të OBSH-së, të kryer në dhjetor 2025, 59% e banorëve në zonat e vijës së frontit e raportuan shëndetin e tyre si të dobët ose shumë të dobët, krahasuar me 47% në zonat jashtë vijës së frontit.
Drejtori Rajonal i OBSh për Evropën, Dr. Hans Henri P. Kluge, deklaroi se katër vite luftë kanë krijuar një krizë serioze shëndetësore në Ukrainë.
Sipas të dhënave të OBSH:
• 72% e të anketuarve kanë përjetuar ankth ose depresion gjatë vitit të fundit, por vetëm 1 në 5 ka kërkuar ndihmë
• 1 në 4 ukrainas vuan nga tensioni i lartë i rrezikshëm
• 8 në 10 persona raportojnë se nuk kanë akses në barnat që u nevojiten
Qasje e kufizuar në rehabilitim dhe barna
Rritja e lëndimeve të lidhura me luftën ka shtuar kërkesën për kirurgji, produkte gjaku, shërbime të shëndetit mendor dhe rehabilitim.
Megjithatë, vetëm 4% e spitaleve ofrojnë rehabilitim spitalor, ndërsa vetëm 3% e institucioneve ofrojnë teknologji ndihmëse si proteza dhe pajisje korrigjuese.
Aksesi në barna mbetet një nga pengesat më të mëdha.
Katër nga pesë persona raportojnë vështirësi në sigurimin e tyre, kryesisht për shkak të çmimeve të larta (71%).
Në rajonet e vijës së frontit, situata rëndohet nga mbyllja e farmacive, rreziqet e sigurisë dhe kufizimet financiare./mxh
