SHBA-të dhe Irani kanë bërë përparim të konsiderueshëm në bisedimet e kësaj të enjte në Gjenevë për të arritur një marrëveshje që mban Teheranin larg armëve bërthamore.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Jashtëm i Omanit i cili shërbeu si ndërmjetës mes palëve, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Të dyja palët planifikojnë të rifillojnë negociatat menjëherë pas konsultimeve në kryeqytetet e vendeve të tyre, me diskutime në nivel teknik të planifikuara për t’u zhvilluar javën e ardhshme në Vjenë”, tha ministri i Jashtëm i Omanit.
Më herët zyrtar Iranian kishte sinjalizuar një kornizë për një marrëveshje nëse Uashingtoni ndante çështjet bërthamore nga ato jo-bërthamore.
Diskutimet e fundit vijnë në mes të grumbullimit më të madh ushtarak të SHBA-së në Lindjen e Mesme që nga viti 2003 kur pushtoi Irakun.
Ndërsa Trump ka thënë se preferon ta zgjidhë krizën përmes diplomacisë, ai ka thënë gjithashtu se po shqyrton një sulm të kufizuar ndaj Iranit për të ushtruar presion mbi udhëheqësit e tij që të pranojnë një marrëveshje.
Irani ka hedhur poshtë kërkesën e SHBA-së për të ndaluar pasurimin e uraniumit në territorin e tij, por ka pasur indikacione se është i përgatitur të ofrojë disa lëshime në lidhje me programin e tij bërthamor./kb
