Naomi Watts po flet pa filtra për raportin e saj me plakjen dhe kirurgjinë estetike. Në një intervistë të fundit për revistën Bustle, aktorja 57-vjeçare theksoi se nuk ka kryer ndërhyrje plastike dhe se ka zgjedhur ta përqafojë pamjen e saj natyrale.
Ylli i njohur rrëfeu se hyrja në të 50-at i ka ndryshuar ndjeshëm këndvështrimin për bukurinë dhe kujdesin ndaj vetes. Sipas saj, një nga vendimet më çliruese ka qenë të heqë dorë nga përpjekja për t’u dukur si dikur dhe të pranojë veten në fazën aktuale të jetës.
“Në një moment të caktuar kupton çfarë të shkon dhe i qëndron asaj. Nuk dua të dukem 25 vjeçe apo si dikush që përpiqet me çdo kusht të duket 25,” u shpreh ajo.
Watts shtoi se nuk ka pasur dëshirën apo guximin për t’iu nënshtruar bisturisë dhe për momentin nuk e sheh veten duke bërë ndërhyrje estetike. “Shpresoj që njerëzit përreth meje t’i tolerojnë faqet e mia të varura, sepse tani për tani nuk dua të operohem. Nuk jam as kategorikisht pro, as kundër dhe nuk gjykoj askënd që zgjedh ta bëjë,” tha ajo me humor.
Aktorja foli edhe për rutinën e saj aktuale të bukurisë, e cila ka ndryshuar me kalimin e viteve. Tani që fëmijët e saj janë rritur, ajo i kushton më shumë rëndësi ritualit të mbrëmjes sesa grimit të përditshëm. “Nëse nuk jam në xhirime, nuk vendos grim në mëngjes. Por çdo natë përpiqem të futem në vaskë, dëgjoj një podcast ose ndez një qiri. Uji i nxehtë me avull më relakson dhe më përgatit për gjumë,” tregoi ajo.
Prej vitesh, Naomi Watts ka qenë një zë i hapur për pranimin e ndryshimeve që sjell mosha, si dhe për ndërgjegjësimin mbi menopauzën, duke inkurajuar gratë të flasin hapur për këtë fazë të jetës dhe të ndihen mirë me veten në çdo moshë./mxh
