Qindra protestues dolën në rrugë të dielën në qytetin qendror të Pakistanit, Lahore, për të shprehur zemërimin e tyre pas vrasjes së Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, në sulmet ajrore të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Protesta u përqendrua jashtë konsullatës amerikane në Lahore, ku protestuesit dogjën barrikada, ndërsa forca të shumta policie u vendosën për të mbrojtur objektin diplomatik. Sipas dëshmitarëve, disa persona tentuan të dëmtonin një portë sigurie qindra metra larg konsullatës, por u ndaluan nga policia pa përdorim force.
Demonstrata të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera të Pakistanit, si pjesë e një vale protestash mbarëkombëtare pas lajmit për vdekjen e Khameneit.
Në kryeqytetin Islamabad, policia përdori gaz lotsjellës pasi protestuesit hynë në të ashtuquajturën “Zona e Kuqe”, një zonë me siguri të lartë që përfshin institucione qeveritare dhe misione diplomatike. Qindra persona u mblodhën pranë enklavës diplomatike përpara se të shpërndaheshin nga forcat e rendit.
Ndërkohë, në qytetin portual Karachi, nëntë persona humbën jetën pasi protestuesit i vunë flakën një automjeti pranë konsullatës amerikane dhe u përplasën me policinë. Autoritetet lokale konfirmuan viktimat, por ende nuk është bërë e qartë shkaku i saktë i vdekjeve.
Situata në Pakistan mbetet e tensionuar, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë rreth objekteve diplomatike dhe institucioneve shtetërore./MXH
