Debatet rreth Mirit në “Big Brother VIP” vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes, sidomos pas akuzave të forta të ardhura nga babai i Selin. Për herë të parë, familja e banorit ka reaguar publikisht.
I ftuar në “BB Fan Club”, vëllai i Mirit, Flori Shahini, foli hapur për lojën e tij brenda shtëpisë dhe për mënyrën se si familja i ka përjetuar deklaratat e bëra ndaj tij.
Sa i përket akuzave, ai u shpreh se familja ka zgjedhur t’i marrë me qetësi dhe gjakftohtësi. “Për aq kohë sa ne jemi të bindur që ato gjëra nuk janë të vërteta, nuk kemi pse t’i marrim në konsideratë. Jemi shumë të qetë, sepse ne e njohim Mirin shumë herë më mirë se çfarë mund të flitet aty brenda,” tha ai.
Sipas Florit, shumë situata në “BBV” duhen parë në kontekstin e lojës dhe strategjisë. “Brenda është një lojë. Shumë gjëra bëhen për dinamikë, për strategji, për të dalë në ‘Prime’. Nuk është se na erdhi mirë, por i menduam gjërat më qetë. Asgjë nga ato që janë thënë nuk është e vërtetë,” theksoi ai.
Ai shtoi se publiku ka të drejtë të japë mendimin e vet, por gjykimet kategorike nuk janë të drejta. “Publiku ka të drejtë të flasë dhe të japë opinion, por një pjesë e tij të thotë ‘ky është kështu’, pa e ditur si është ai jashtë… Askush nga ne nuk ka të drejtë të futet në lëkurën e dikujt. Aty brenda secili përfaqëson jetën e vet,” u shpreh vëllai i banorit.
Deklarata e tij vjen në një moment kur dinamika mes Mirit dhe Selin ka krijuar tensione të forta, duke e kthyer situatën në një nga temat më të diskutuara të këtij sezoni të “Big Brother VIP”./mxh
