Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se presidenti Donald Trump ka “të gjithë hapësirën e nevojshme” për të vendosur mbi kohëzgjatjen dhe intensitetin e veprimeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara.
Në një konferencë për mediat, Hegseth theksoi se afatet kohore mund të ndryshojnë – “katër javë, dy javë, gjashtë javë” – duke nënvizuar se gjithçka do të zhvillohet sipas urdhrit të komandantit të përgjithshëm. Sipas tij, administrata aktuale është e vendosur të shfrytëzojë çdo mundësi strategjike, duke lënë të hapura si opsionet e de-përshkallëzimit, ashtu edhe ato të përshkallëzimit, në funksion të interesave amerikane.
I pyetur nëse ka trupa amerikane në terren në Iran, Hegseth u përgjigj prerë: “Jo”. Megjithatë, ai refuzoi të japë detaje mbi veprimet e mundshme të ardhshme, duke argumentuar se publikimi i planeve konkrete do të ishte i papërgjegjshëm dhe do t’u shërbente kundërshtarëve të SHBA-së. “Do të shkojmë aq larg sa të jetë e nevojshme për të mbrojtur interesat amerikane, por nuk do të jemi të pamatur”, tha ai, duke shtuar se nuk është e nevojshme një angazhim masiv dhe afatgjatë trupash.
Duke folur për një incident me viktima amerikane, sekretari i Mbrojtjes pranoi se, pavarësisht sistemeve të fuqishme të mbrojtjes ajrore, ndonjëherë raketa të veçuara arrijnë të depërtojnë. Ai konfirmoi se një goditje e tillë preku një qendër taktike operacionale të fortifikuar, duke shkaktuar humbje. Hegseth theksoi se këto ngjarje forcojnë vendosmërinë e Pentagonit për të vazhduar operacionet dhe për t’u kujdesur për familjet e ushtarakëve të prekur.
Sa i përket kërcënimeve, ai nënvizoi se kundërshtarët posedojnë kapacitete goditëse me rreze të gjatë veprimi, ndaj të cilave SHBA-ja është e përqendruar maksimalisht. Sipas tij, komandanti i teatrit të operacioneve, Admirali Brad Cooper, ka në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme për mbrojtje dhe ofensivë.
Në përmbyllje, Hegseth theksoi se ritmi i operacioneve përcaktohet nga presidenti Trump dhe se objektivi është kontrolli i hapësirës ajrore në zonën jugore të frontit. “Mbrojtja më e mirë është sulmi i mirë”, u shpreh ai, duke shtuar se strategjia synon të neutralizojë burimin e sulmeve – “të godasë harkëtarin, jo shigjetat” – në një fushëbetejë që, sipas tij, është e gjerë dhe komplekse./mxh
