Rreth 15 anije greke ndodhen aktualisht në Gjirin Persik dhe në afërsi të Ngushticës së Hormuzit, në një kohë kur tensionet në rajon mbeten të larta. Ministri i Transportit Detar i Greqisë, Vasilis Kikilias, deklaroi nga Athina se siguria e marinarëve grekë është prioritet absolut për qeverinë greke.
Sipas tij, 10 anije me flamur grek ndodhen brenda Gjirit Persik dhe 5 të tjera jashtë tij, ndërsa mbi 250 anije në pronësi greke operojnë në zonë, dhe më shumë se 325 në rajonin më të gjerë. Kikilias theksoi se autoritetet janë në komunikim të vazhdueshëm, 24 orë në 24, me ekuipazhet.
Deklaratat e ministrit vijnë në një moment pasigurie për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rrezikut që paraqet zona e Strait of Hormuz, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës.
“Nuk e di askush nëse konflikti do të përfundojë brenda pak ditësh apo javësh,” u shpreh Kikilias, duke sjellë si shembull luftën në Ukraine, e cila sipas tij pritej të zgjaste pak, por vijon prej katër vitesh.
Ministri grek theksoi se, ndonëse situata po menaxhohet në mënyrë profesionale dhe të organizuar, rreziku për përshkallëzim mbetet real. Ai shtoi se përveç marinarëve, prioritet janë edhe qytetarët grekë që jetojnë, punojnë apo udhëtojnë në vendet fqinje të rajonit.
Pamjet nga Musandami i Omanit tregojnë lëvizje të vazhdueshme anijesh në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa autoritetet ndërkombëtare mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të ri./mxh
