Last Updated on 04/03/2026 by Anisa
Është ndarë nga jeta në moshën 96-vjeçare Tomor Dosti, një figurë e njohur e politikës shqiptare dhe ish-deputet i Partisë Demokratike.
Dosti ishte gjithashtu nënkryetar i Partisë Demokratike në vitet e para të pluralizmit politik në Shqipëri.
Dosti u zgjodh deputet në dy legjislatura, duke përfaqësuar demokratët në Kuvend gjatë periudhës 1991–1996.
Po kush ishte Tomor Dosti?
Ai lindi në Gjirokastër në vitin 1930 dhe ishte djali i ish-ministrit që shërbeu në periudhën e Mbretërisë Shqiptare, Hasan. Ai shërbeu edhe në qeverinë e Ahmet Zogut, duke qenë pjesë e jetës politike të vendit për dekada me radhë.
Jeta e Tomor Dostit u shënua nga përndjekja politike gjatë regjimit komunist. Pas largimit nga vendi të babait dhe vëllait të tij, familja u përball me represion të ashpër. Nëna e tij u pushkatua nga gjermanët në ditën e largimit nga Tirana, ndërsa pjesa tjetër e familjes u persekutua.
Në vitin 1953 ai u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burg me akuzën për “tentativë arratisjeje”, ndërsa dënimin e vuajti pjesën më të madhe në burgun e Burrelit, ku mbaheshin edhe shumë figura të njohura të jetës politike dhe intelektuale shqiptare. Pas lirimit nga burgu, familja e tij kaloi edhe kalvar internimesh.
Me rënien e regjimit komunist në vitin 1991, Dosti iu bashkua Partisë Demokratike, duke kontribuar në konsolidimin e strukturave të saj, veçanërisht në jug të vendit. Së bashku me figura të tjera të njohura të së djathtës si Pjetër Arbnori, Leka Tota, Uran Butka, Ajet Rusi dhe vëllai i tij Leka Dosti, ai ndihmoi në formësimin e profilit politik të partisë në vitet e para të pluralizmit.
Në fillimet e PD-së ai mbajti edhe postin e nënkryetarit të Partisë Demokratike. Dosti u zgjodh deputet në dy legjislatura, nga viti 1991 deri në vitin 1996. Në vitin 1998 ai u tërhoq nga politika aktive.
