Last Updated on 05/03/2026 by Kesjana
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka hapur thirrjen për studiuesit, ekspertët e arkivave nga trojet shqiptare dhe rajoni, si edhe për të gjithë të interesuarit e bashkësisë shkencore, për të marrë pjesë në botimet e planifikuara për vitin 2027.
Për të pestin vit radhazi, DPA, e rikthyer në rolin e botueses periodike, vijon publikimin e studimeve që trajtojnë periudha dhe figura të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Në kuadër të këtyre botimeve publikohen gjithashtu edhe udhëzues mbi metodologjinë arkivore në hapësirën kombëtare.
Me synimin për të dhënë një kontribut në zhvillimin e historiografisë shqiptare, DPA propozon një sërë tematikash që lidhen me përvjetorë të rëndësishëm historikë dhe me figura të shquara të jetës publike. Mes temave të sugjeruara për botimet e vitit 2027 janë:
• 90-vjetori i vdekjes së Vehbi Agollit
• 90-vjetori i vdekjes së Ndre Mjedës
• 95-vjetori i vdekjes së Iljaz Vrionit
• 110-vjetori i vdekjes së Dom Nikollë Kaçorrit
• 85-vjetori i vdekjes së Faik Konicës
• 150-vjetori i themelimit të Komitetit të Stambollit
Ndërkohë, për botim do të pranohen edhe punime monografike që trajtojnë historikun e arkivave, sfidat dhe problematikat e tyre në Shqipëri dhe më gjerë. Gjithashtu, pjesë e botimeve mund të jenë edhe dokumente në gjuhë të rralla si osmanishtja, greqishtja dhe latinishtja, akte ligjore dhe nënligjore që lidhen me punën me dokumentet arkivore, si dhe inventarë, katalogë dhe tregues të kërkimit shkencor në arkiva.
Të interesuarit mund të aplikojnë duke depozituar kërkesën për pjesëmarrje dhe projektpropozimin e botimit në adresën botime.arkiva.gov.al.
Sipas njoftimit, çdo punim i paraqitur nuk duhet të kalojë kufirin prej 400 mijë shkronjash dhe shenjash, ose 10 fletë tipografike.
Afati i fundit për aplikim është 1 maji 2026./kb
