Një deklaratë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk është pritur mirë nga Komisioni Evropian, pasi u interpretua si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj liderit hungarez, Viktor Orbán.
Zelensky la të kuptohej se mund t’u jepte adresën e një “personi të caktuar” trupave ukrainase për të biseduar “në gjuhën e tyre”, një mesazh që Budapesti e interpretoi si thirrje për dhunë ndaj kryeministrit Orban.
Zëdhënësi i Komisionit, Olof Gill, e cilësoi këtë gjuhë si të papranueshme.
“Ky lloj fjalori nuk pranohet. Nuk duhet të ketë kërcënime ndaj shteteve anëtare të BE-së. U bëjmë thirrje palëve të ulin retorikën dhe të qetësohen”, shtoi më tej Gill.
Këto reagime kanë ardhur si rezultat i bllokimit të paketës ndihmëse prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën dhe ndërprerjes së naftës ruse përmes tubacionit Druzhba.
Ndërsa Orban akuzon Kievin për sabotazh, Ukraina thotë se pas dëmtimeve qëndrojnë dronët rusë.
Zelensky u shpreh i gatshëm të riparojë tubacionin brenda muajit, me kushtin që BE-ja të garantojë zhbllokimin e fondeve nga Hungaria.
Por situata ka përshkallëzuar edhe më tej, pasi Kievi akuzoi Hungarinë për ndalimin e shtatë punonjësve të bankës shtetërore Oschadbank dhe sekuestrimin e miliona eurove dhe 9 kg flori./kb