Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, deklaroi se aktivitetet financiare të ukrainasve në Hungari janë “të dyshimta”, pasi autoritetet ndaluan shtatë shtetas ukrainas të cilët dyshohet se transportonin rreth 82 milionë dollarë në para cash dhe ar.
Deklarata u bë gjatë një tubimi elektoral të partisë së tij Fidesz në qytetin Debrecen, ku Orban tha se autoritetet hungareze duhet të sqarojnë origjinën dhe qëllimin e kësaj shume të madhe parash.
“Ne thjesht duam të dimë se çfarë po bëjnë ukrainasit me këtë sasi të madhe parash në Hungari. Për mua është e dyshimtë ajo që po ndodh,” u shpreh Orban para mbështetësve.
Kryeministri hungarez shtoi gjithashtu se dyshon që disa zëra pro-Ukrainës në Hungari mund të mbështeten financiarisht nga burime të jashtme.
“Dyshoj se shumë nga zërat pro-Ukrainës në Hungari janë vetëm pjesërisht të sinqertë dhe të dalë nga zemra. Pjesa tjetër vjen nga xhepat,” deklaroi ai.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Ukrainës janë tensionuar më tej pas këtij incidenti. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, akuzoi Hungarinë për “marrje peng dhe konfiskim të parave”, duke pretenduar se personat e ndaluar ishin punonjës të bankës shtetërore ukrainase Oschadbank.
Më vonë, Sybiha njoftoi se të shtatë shtetasit ukrainas janë liruar dhe kanë kaluar në mënyrë të sigurt kufirin për t’u kthyer në Ukrainë.
Ngjarja ndodh në një moment kur kryeministri Orban, i cili ka 16 vite në pushtet, është në fushatë për zgjedhjet e 12 prillit, ku lufta në Ukrainë është kthyer në një nga temat kryesore të debatit politik në vend./mxh
