Këngëtari kanadez Justin Bieber është përfshirë sërish në një incident me paparacët pas një mbrëmjeje me bashkëshorten e tij, Hailey Bieber, në Kaliforni.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, artisti 31-vjeçar ishte duke u larguar nga restoranti i njohur Sushi Park në West Hollywood, ku kishte darkuar me Hailey. Në momentin që po hynte në makinë, Bieber hodhi një shishe uji në drejtim të paparacëve që po e fotografonin.
Një video që është bërë virale në rrjetet sociale tregon momentin kur këngëtari, dukshëm i irrituar nga prania e fotografëve, hedh shishen përpara se të futet në makinë. Shishja nuk goditi askënd dhe përfundoi në tokë, por gjesti i tij tregoi qartë pakënaqësinë ndaj paparacëve që po e ndiqnin.
Më herët gjatë mbrëmjes, Justin dhe Hailey ishin parë duke darkuar edhe në South Beverly Grill në Beverly Hills. Justin kishte zgjedhur një kostum sportiv blu, ndërsa Hailey ishte veshur me një bluzë rozë me mëngë të gjata, të kombinuar me një fund lëkure të zi midi, syze dhe taka./mxh
