Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbrojti operacionin ushtarak të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, duke e cilësuar regjimin iranian si një “regjim terrorist” që paraqet kërcënim për rajonin dhe për botën.
Në një deklaratë për mediat, Rubio tha se qëllimi i operacionit është shkatërrimi i kapaciteteve ushtarake të Iranit për të kryer sulme me raketa dhe dronë.
Sipas tij, objektivi i forcave amerikane është të asgjësojnë raketat dhe lëshuesit e tyre, fabrikat ku prodhohen këto armë si edhe kapacitetet detare të Iranit.
Rubio akuzoi Teheranin se po përpiqet të mbajë botën peng përmes sulmeve ndaj vendeve fqinje, infrastrukturës energjetike dhe popullsisë civile.
Ai shtoi se regjimi iranian po përdor mjete shtetërore për të kryer akte terrorizmi, përfshirë raketa dhe dronë sulmues, duke e cilësuar këtë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar.
Sekretari amerikan theksoi se operacioni ushtarak i SHBA po avancon drejt arritjes së objektivave, duke përdorur atë që ai e quajti “forcë dhe saktësi dërrmuese”.
Deklaratat e Rubios vijnë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara konfirmuan se një ushtarak i shtatë amerikan ka ndërruar jetë nga plagët e marra gjatë kundërsulmit fillestar të Iranit, një javë më parë./mxh
