Presidenti francez Emmanuel Macron priti këtë të mërkurë në Pallatin Elysee kryeministrin e ri të Holandës, Rob Jetten, për bisedime të përqendruara në krizat ndërkombëtare, forcimin e unitetit evropian dhe bashkëpunimin dypalësh.
Takimi u fokusua kryesisht në zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe në vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, si edhe në prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian, përfshirë mbrojtjen dhe konkurrueshmërinë ekonomike.
Në një deklaratë për mediat përpara takimit me dyer të mbyllura, Macron theksoi nevojën për koordinim mes vendeve evropiane për të ulur tensionet në rajon dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve.
“Duhet të koordinohemi për të ulur përshkallëzimin e situatës, për të mbrojtur qytetarët tanë, për të qëndruar pranë vendeve mike në rajon dhe për të marrë pjesë në misionet për sigurinë detare dhe lirinë e lundrimit”, deklaroi presidenti francez.
Macron vlerësoi gjithashtu kontributin e Holandës në përballimin e krizës me Iranin, duke theksuar praninë e një fregate holandeze në Mesdheun Lindor, e cila i është bashkuar aeroplanmbajtëses franceze “Charles de Gaulle”.
Nga ana e tij, kryeministri Rob Jetten, i cili në moshën 38-vjeçare është bërë kryeministri më i ri në historinë e Holandës, theksoi rëndësinë e rolit të Bashkimit Evropian në uljen e tensioneve dhe garantimin e sigurisë në rajon.
“Për sa kohë që kërcënimi i sigurisë nga Irani vazhdon, Evropa duhet të mendojë gjithashtu se si të mbrojë interesat e saj”, u shpreh ai.
Dy liderët riafirmuan gjithashtu mbështetjen për Ukrainën në konfliktin e saj me Rusinë, duke diskutuar për vazhdimin e ndihmës financiare dhe furnizimeve ushtarake.
Macron nënvizoi angazhimin e Evropës për Ukrainën dhe theksoi urgjencën për zbatimin e një pakete kredie prej 90 miliardë eurosh, si dhe përshpejtimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Sipas Presidencës franceze, në bisedime u diskutua edhe thellimi i bashkëpunimit mes Francës dhe Holandës në sektorë strategjikë si energjia bërthamore civile, mbrojtja dhe teknologjia e gjysmëpërçuesve./MXH
