Last Updated on 13/03/2026 by Anisa
Avokatët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, këtë të premte kanë paraqitur një tjetër raport sa i përket procesit gjyqësor që po mbahet ndaj kryebashkiakut prej më shumë se një vitit.
Duke iu referuar mosvënies në dispozicion të akteve të plota hetimore, konkretisht të dosjes me 60.000 faqe, për të përgatitur mbrojtje, studioja ligjore amerikane Kasowits LLP, pretendon se Veliajt po i mohohet e drejta për gjykim.
“Erion Veliajt po i mohohet e drejta e gjykimit nëpërmjet një procesit të rregullt ligjor”, thuhet në raport.
Pasi Apeli i GJKKO urdhëroi SPAK që përmes agjentëve të BKH-së, të dorëzimin e materialeve e hetimit, raporti vë në dyshim nëse Veliaj mund të shqyrtojë këtë vëllim masiv dokumentesh brenda vetëm dy javësh.
Po ashtu një problematikë tjetër në këtë raport është dhe mungesa e krijimit të kushteve për takimin e Veliajt me avokatët në mënyrë efektive dhe konfidenciale.
Gjithashtu avokatët e Veliajt ngrenë akuza se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion po përdor argumente të pabaza , si aktivitetet lobuese të kryebashkiakut, për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit të Erion Veliajt.
Studio ligjore pretendon se SPAK kërkon të ndëshkojë Veliaj “për shprehjen e të drejtës së tij demokratike për të kërkuar peticion, gjë që në fakt ka ekspozuar shkelje të shumta të procesit të rregullt ligjor nga SPAK në rastin e tij”.
Po ashtu, ata theksojnë në raportin e tyre se po shpërfillet edhe raporti i Gjykatës Kushtetuese.
“Erion Veliaj po mbahet në burg mbi baza që cilësohen arbitrare, ndërsa qytetarët e Tiranës po privohen nga lideri i zgjedhur prej tyre në mënyrë demokratike”, theksohet në raport.
Kujtojmë se prej 10 shkurtit 2025, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndodhet i arrestuar. Qytetari i parë i Tiranës akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ai akuzohet së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, se ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptive për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës.
