Normat e fertilitetit në Evropë vijojnë të bien dhe kanë arritur në nivele historikisht të ulëta, duke thelluar shqetësimet për të ardhmen demografike të kontinentit.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat dhe të raportuara nga Euronews, mesatarja e lindjeve në Bashkimin Evropian për vitin 2024 zbriti në rreth 1.34 fëmijë për grua, shumë poshtë nivelit të zëvendësimit prej 2.1 fëmijësh që nevojitet për të mbajtur popullsinë të qëndrueshme pa emigracion. Kjo përfaqëson një rënie të vazhdueshme krahasuar me dekadat e mëparshme, pasi në vitet ’60 norma e fertilitetit në Evropë ishte mbi 2.5 fëmijë për grua.
Diferencat mes vendeve mbeten të dukshme: Disa shtete të Evropës Lindore dhe Qendrore regjistrojnë norma relativisht më të larta, ndërsa vende si Malta, Spanja dhe Italia renditen ndër më të ultat, me nivele pranë ose pak mbi 1 fëmijë për grua. Edhe Franca, e cila tradicionalisht ka pasur një nga normat më të larta në BE, ka shënuar rënie të ndjeshme vitet e fundit.
Ekspertët e lidhin këtë trend me një sërë faktorësh të ndërlidhur, përfshirë rritjen e kostos së jetesës, çmimet e larta të strehimit, pasigurinë në tregun e punës, si dhe shtyrjen e moshës së lindjes së parë, pasi shumë çifte zgjedhin të përqendrohen fillimisht në arsimim dhe karrierë. Rënia e vazhdueshme e lindjeve po shoqërohet me plakje të shpejtë të popullsisë, duke rritur presionin mbi sistemet e pensioneve, shërbimet shëndetësore dhe tregun e punës.
Nëse ky trend vazhdon, shumë vende evropiane do të përballen me mungesë të fuqisë punëtore dhe sfida të mëdha ekonomike në dekadat e ardhshme, ç’ka e kthen krizën e fertilitetit në një nga çështjet më strategjike për politikat publike në Evropë.
