Rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve vendore në Francë kanë rritur shqetësimin mes qytetarëve për rritjen e ndikimit të së djathtës ekstreme. Partia Tubimi Kombëtar (RN) e Marine Le Pen ka shënuar rezultate të forta në disa qytete të mëdha, duke rritur shpresat për të fituar bashki të rëndësishme.
Sipas sondazheve pas votimit, në Marsejë gara mes kryetarit aktual të majtë dhe kandidatit të së djathtës ekstreme rezultoi shumë e ngushtë në raundin e parë të zgjedhjeve vendore të zhvilluara të dielën. Ky rezultat konsiderohet një shtysë e rëndësishme për Tubimin Kombëtar në përpjekjen për të zgjeruar ndikimin e tij përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
Partia ka arritur gjithashtu të fitojë që në raundin e parë qytetin Perpignan, pranë kufirit me Spanjën, një nga qytetet më të mëdha që kontrollon aktualisht. Ndërkohë, kandidati i saj në qytetin jugor të Toulon ka dalë i pari në votimin e raundit të parë.
Qytetarë të Parisit shprehen se rritja e së djathtës ekstreme është një zhvillim që duhet ndjekur me kujdes.
Antoine Simon, aktor parizian, tha se rritja e Tubimit Kombëtar është e dukshme prej kohësh në Francë dhe se kjo tendencë duhet parë me shqetësim.
Ndërsa disa qytetarë janë të shqetësuar për rezultatet e së djathtës ekstreme, të tjerë thonë se janë befasuar pozitivisht nga rezultatet e së majtës në disa qytete të mëdha si Roubaix, Toulouse, Lyon dhe Lille.
Në Paris, kandidati socialist Emmanuel Grégoire doli i pari në raundin e parë, duke krijuar një diferencë të ndjeshme ndaj rivales së tij konservatore dhe ish-ministres Rachida Dati.
Disa banorë të kryeqytetit francez shprehen të lehtësuar nga ky rezultat, duke thënë se kanë frikë nga politikat që mund të sillte një drejtim tjetër politik për qytetin.
Raundi i dytë i zgjedhjeve vendore në Francë do të zhvillohet më 22 mars, ku do të përcaktohen përfundimisht fituesit në bashkitë kryesore të vendit./mxh
