Dhjetë persona, të gjithë pacientë, kanë humbur jetën pasi një zjarr shpërtheu në departamentin e urgjencës së një spitali shtetëror në shtetin lindor indian të Odisha.
Sipas autoriteteve, 11 anëtarë të stafit mjekësor po marrin trajtim për djegie, të cilat i pësuan teksa përpiqeshin të shpëtonin pacientët nga flakët.
Zjarri, i cili dyshohet se u shkaktua nga një qark i shkurtër elektrik, shpërtheu në njësinë e kujdesit intensiv të traumës në SCB Medical College and Hospital në qytetin Cuttack, rreth orës 2:30 të mëngjesit të së hënës sipas kohës lokale.
Zjarret në spitale nuk janë të rralla në India, ku shumë prej tyre lidhen me probleme elektrike, kryesisht me qarqe të shkurtra.
Ngjarje të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë. Tetorin e kaluar, gjashtë pacientë në gjendje kritike humbën jetën nga një zjarr në një njësi të kujdesit intensiv në shtetin Rajasthan.
Ndërsa në vitin 2024, një zjarr në njësinë e kujdesit intensiv neonatal të një kolegji mjekësor në qytetin Jhansi vrau të paktën 10 të porsalindur.
Tre vjet më parë, në vitin 2021, një zjarr në njësinë e kujdesit intensiv të Vijay Vallabhbhai Patel Hospital në Virar, në perëndim të vendit, shkaktoi vdekjen e 13 pacientëve që po trajtoheshin për COVID-19.
Po në vitin 2021, një tjetër zjarr në një njësi të kujdesit neonatal në distriktin Bhandara, në shtetin Maharashtra, u mori jetën 10 foshnjave./et
