Instituti suedez V-Dem paralajmëron se SHBA nuk është më një demokraci liberale. Ndërkohë, autokracia po përhapet gjithnjë e më shumë edhe në Evropë.
Martin Gelin*
Shtetet e Bashkuara nuk janë më një demokraci. Të paktën kështu pohon një nga burimet më të besueshme në botë për gjendjen e demokracisë globale. Instituti Varieties of Democracy (V-Dem) në Universitetin e Göteborgut arrin në këtë përfundim alarmues në raportin e tij vjetor, duke deklaruar se SHBA po rrëshqet drejt autokracisë me një ritëm më të shpejtë sesa Hungaria dhe Turqia.
“Të dhënat tona për SHBA shkojnë deri në vitin 1789. Ajo që po shohim tani është shkalla më e rëndë e prapakthimit demokratik që ka përjetuar ndonjëherë vendi”, thotë Staffan Lindberg, themelues i institutit.
Që nga viti 2012, Lindberg ka drejtuar një grup të vogël studiuesish në Suedi që është shndërruar në një nga burimet kryesore në botë për analizën e shëndetit të demokracisë globale. Në raportin e tyre më të fundit, të publikuar të martën, ata arrijnë në përfundimin se SHBA, për herë të parë pas më shumë se gjysmë shekulli, ka humbur statusin e saj si një demokraci liberale afatgjatë. Sipas autorëve të raportit, vendi po kalon një proces të shpejtë të asaj që ata e quajnë “autokratizim”.
“Orbánit në Hungari iu deshën rreth katër vjet, Vuçiçit në Serbi tetë vjet, ndërsa Erdoganit në Turqi dhe Modit në Indi rreth dhjetë vjet për të arritur shtypjen e institucioneve demokratike që Trump e ka realizuar brenda vetëm një viti”, thotë Lindberg.
Demokracia amerikane është rikthyer tani në nivelin më të ulët të regjistruar që nga viti 1965, kur ligjet për të drejtat civile në SHBA vendosën në praktikë të drejtën pothuajse universale të votës. Sipas raportit, gjithë progresi i bërë që nga ajo kohë është fshirë.
Në shkallë globale, demokracia ka rënë në nivelin më të ulët që nga mesi i viteve ’70.
“Bota nuk ka parë kurrë më parë kaq shumë vende që autokratizohen në të njëjtën kohë”, thotë Lindberg.
Sipas raportit, një rekord prej 41% e popullsisë së botës (3.4 miliardë njerëz) jeton aktualisht në vende ku demokracia po përkeqësohet. Madje, sipas studiuesve, Uashingtoni po udhëheq këtë kthesë globale larg demokracisë.
Studiuesit përdorin 48 tregues të ndryshëm për të vlerësuar shëndetin demokratik, si liria e shprehjes dhe e medias, cilësia e zgjedhjeve dhe respektimi i shtetit të së drejtës. Indeksi i tyre i “demokracisë liberale” tregon se shpejtësia me të cilën po çmontohet demokracia amerikane është e paprecedentë në historinë moderne.
Faktori kryesor, sipas Lindbergut, është “përqendrimi i shpejtë dhe agresiv i pushtetit në presidencë”. Kongresi është margjinalizuar, duke vënë në rrezik sistemin e “checks and balances” – balancën midis pushteteve – që është thelbësore për demokracinë amerikane. Në të njëjtën kohë, të drejtat civile janë në rënie të shpejtë dhe liria e shprehjes ka rënë në nivelin më të ulët që nga vitet ’40.
“Po shohim një përqendrim shumë të shpejtë të pushtetit në ekzekutiv. Dega legjislative praktikisht i ka abdikuar kompetencat e saj presidentit. Ajo nuk funksionon më si kontroll ndaj pushtetit ekzekutiv”, thotë Lindberg.
Gjatë vitit të parë të presidencës së Donald Trump, ai firmosi 225 urdhra ekzekutivë, ndërsa Kongresi i kontrolluar nga republikanët miratoi vetëm 49 ligje të reja.
“Shumica e urdhrave ekzekutivë të Trump ishin vendime të rëndësishme. Ai mbylli departamente të tëra të qeverisë, duke pushuar nga puna qindra mijëra punonjës. Ndërsa ligjet e miratuara nga Kongresi ishin kryesisht ndryshime të vogla në ligje ekzistuese. Kështu që sot nuk kemi më një ndarje reale midis pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv”, thotë Lindberg.
Ndërkohë, sipas tij, edhe Gjykata Supreme ka abdikuar në një masë të madhe nga roli i saj. Edhe kur ajo rrëzon urdhrat ekzekutivë të Trump, presidenti gjen mënyra për t’i anashkaluar ato. Aktualisht, më shumë se 600 procese gjyqësore janë duke u zhvilluar kundër administratës Trump.
Një tjetër element i rënies së shpejtë të demokracisë amerikane është, sipas raportit, heqja e mekanizmave të brendshëm që mbrojnë qeverinë federale nga abuzimi me pushtetin.
“Trump ka shkarkuar inspektorë të përgjithshëm dhe zyrtarë të lartë civilë në shumë departamente dhe i ka zëvendësuar me njerëz besnikë ndaj tij. Kjo është pikërisht ajo që bënë Orbáni dhe Erdogani. Ata heqin kufizimet mbi pushtetin. Tashmë duhet të jetë e qartë se Trump synon diktaturën”, thotë Lindberg.
Instituti V-Dem u themelua në vitin 2012, në një kohë kur demokracia globale dukej se ishte pranë kulmit të saj historik.
“Në atë kohë ne studionim procesin e demokratizimit dhe ishim të zhgënjyer nga treguesit ekzistues, prandaj donim të krijonim një indeks global të besueshëm për komunitetin e studiuesve të demokracisë”, thotë Lindberg.
Pesë vjet më vonë, kur instituti publikoi bazën e parë të të dhënave globale për demokracinë, ekspertët e tij kuptuan se zhvillimet po shkonin në drejtimin e gabuar.
“Tani të gjithë ne që studionim demokratizimin jemi bërë studiues të autokratizimit”, thotë Lindberg.
Fillimisht, raportet e tyre u kritikuan si “alarmiste”.
“Na quajtën alarmistë. Por sot paralajmërimet tona duket se janë të justifikuara”, shton ai.
Instituti punon me një grup bërthamë prej rreth një duzine studiuesish në Göteborg, të cilët bashkëpunojnë me 4,200 ekspertë në 180 vende, duke përdorur atë që konsiderohet baza më e madhe globale e të dhënave për demokracinë: më shumë se 32 milionë pika të dhënash për 202 vende dhe territore, nga viti 1789 deri në 2025.
Raporti i V-Dem, me titull “Unravelling the Democratic Era?”, duhet të lexohet me kujdes edhe në Evropë. Sipas tij, shtatë vende të BE-së – Hungaria, Greqia, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia, Italia dhe Rumania – po përjetojnë procese autokratizimi. Portugalia dhe Bullgaria janë futur në listën e vëzhgimit.
Raporti identifikon edhe Mbretërinë e Bashkuar si një “autokratizues të ri”, për shkak të rënies së ndjeshme të lirisë së shprehjes dhe të medias.
Në krye të indeksit global të demokracisë për vitin 2025 renditen Danimarka, Suedia, Norvegjia, Zvicra, Estonia dhe Irlanda.
Një pikë e vetme pozitive në vlerësimin për SHBA është se zgjedhjet e lira dhe të hapura vazhdojnë të mbahen dhe sistemi elektoral “mbetet për momentin i qëndrueshëm”. Megjithatë, urdhrat ekzekutivë të administratës Trump tregojnë rreziqe të reja për sistemin zgjedhor.
Kërcënimet ndaj administratës zgjedhore dhe punonjësve të qendrave të votimit janë tashmë shqetësuese.
“Kemi parë raportime se 40% e punonjësve të zgjedhjeve janë larguar nga puna që nga viti 2020. Trump nuk e pranoi humbjen e tij atëherë. Pse duhet ta pranojë tani?”, pyet Lindberg.
Megjithatë, një element i mundshëm optimizmi është se kthesa autoritare e Trump po bëhet gjithnjë e më pak popullore. Popullariteti i tij ka rënë nën 40%, ndërsa shumë votues të tij janë të zhgënjyer nga lufta e re me Iranin dhe rritja e kostos së jetesës.
“Po shohim gjithashtu më shumë kritika nga brenda vetë lëvizjes Maga”, thotë Lindberg.
Megjithatë, raporti paralajmëron se do të ishte naive të mendohej se vendet evropiane janë imune ndaj rënies demokratike.
“Është një prirje globale”, thotë Lindberg. “Studimet tregojnë qartë se kur e djathta ekstreme merr pushtetin, probabiliteti që ajo të çmontojë institucionet demokratike është shumë i lartë.”
Në shumë vende të Evropës, votuesit po mobilizohen për të zgjedhur versionet e tyre të Trump, pavarësisht kërcënimeve të hapura të administratës amerikane ndaj kontinentit dhe mbështetjes së saj për parti ekstremiste që minojnë stabilitetin evropian.
Me shifra të qarta dhe gjuhë të drejtpërdrejtë, raporti i V-Dem paralajmëron për rreziqet e këtij rrugëtimi.
*Martin Gelin është gazetar dhe autor. Ai shkruan për gazetën suedeze Dagens Nyheter/ Përgatiti për botim: L.Veizi
