Sulmet ajrore izraelite në Liban kanë shkatërruar ndërtesa banimi, kanë goditur të zhvendosurit dhe punonjësit e shëndetësisë, duke ngritur shqetësime për shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe mundësinë e krimeve lufte, sipas Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Që nga nisja e sulmeve të Hezbollahut me raketa ndaj Izraelit, ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore në Liban, duke vrarë të paktën 886 persona dhe detyruar mbi një milion njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, sipas autoriteteve libaneze.
Zëdhënësi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Thameen Al-Kheetan, tha se shumë familje janë vrarë brenda ndërtesave të shkatërruara, përfshirë gra dhe fëmijë, dhe sulmet ndaj civilëve apo objekteve civile mund të përbëjnë krime lufte. Ai kërkoi gjithashtu hetim për sulmet ndaj njerëzve të zhvendosur që strehohen në çadra përgjatë bregdetit të Bejrut dhe ndaj një qendre shëndetësore në qytetin Bint Jbeil.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite thotë se po synon infrastrukturën e Hezbollahut dhe e kualifikon operacionin tokësor në veri të Libanit si masë mbrojtëse. Hezbollah thotë se sulmet e saj janë hakmarrje për vrasjen e liderit suprem të Iranit gjatë luftës.
Ndërkohë, Zëvendës Drejtori Ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, Carl Skau, paralajmëroi se nëse lufta në Iran vazhdon deri në qershor, 45 milionë persona të tjerë mund të përfshihen në uri akute. Ai theksoi se rritja e çmimeve të ushqimit, naftës dhe transportit po e shtyn numrin e të uriturve global mbi rekordin aktual prej 319 milionësh.
“Ky do të jetë një rekord historik i uri globale dhe një perspektivë shumë e rëndë,” tha Skau, duke theksuar se edhe para kësaj lufte, bota ishte përballë një “stuhi të përsosur” nga konflikte, mot ekstrem dhe uria e shpallur në disa vende./mxh
