Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt ka zhvilluar një konferencë për mediat ku ka folur lidhur me operacionin ushtarak amerikan dhe izraelit në Iran.
Leavitt tha se SHBA-të po vazhdojnë ta shkatërrojnë regjimin iranian, duke shtuar se operacioni “Epic Fury” ka qenë një “triumf i jashtëzakonshëm ushtarak”. Sipas saj janë goditur më shumë se 9,000 objektiva “armike” dhe janë shkatërruar më shumë se 140 anije iraniane deri më sot.
“Sulmet me raketa balistike dhe sulmet me dronë të Iranit kanë rënë me afërsisht 90%”, pohon Leavitt.
Ajo tha se SHBA-të po çmontojnë sistematikisht bazën industriale të mbrojtjes së Iranit, ku u shpreh se disa bomba janë hedhur gjatë fundjavës në objektet nëntokësore iraniane ku ruhen raketa dhe armë.
Leavit foli edhe lidhur me negociatat për t’i dhënë fund luftës. Ajo u shpreh se presidenti amerikan dëshiron paqe, por nëse Irani nuk arrin të pranojë se është mundur, Trump do të sigurojë që ata të goditen më fort se kurrë më parë.
“Presidenti Trump nuk luan bllofin dhe është i përgatitur të shkaktojë ferrin. Irani nuk duhet të bëjë përsëri llogaritjet e gabuara. Gabimi i tyre i fundit në llogaritje u kushtoi atyre udhëheqjen e tyre të lartë, marinën e tyre, forcën e tyre ajrore dhe sistemin e tyre të mbrojtjes ajrore. Çdo dhunë përtej kësaj pike do të ndodhë sepse regjimi iranian refuzon të kuptojë”, tha ajo.
Më tej theksoi se bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit vazhdojnë duke mohuar se ato kanë arritur në një rrugë pa krye. Ajo thotë se ndërsa ka elementë të së vërtetës për planin prej 15 pikash të hartuar nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës, jo të gjitha detajet e raportuara nga mediat kanë qenë të sakta.
Ndërkohë sipas mediave shtetërore iranianen, Teherani i ka quajtur kërkesat e SHBA-së “të tepërta” dhe ka thënë se do t’i japë fund luftës “kur të vendosë vetë”.
E pyetur nëse ka një afat kohor se kur nafta mund të udhëtojë lirisht përmes Ngushticës së Hormuzit, ajo tha se nuk ka një datë specifike por se administrata Trump po punon që kjo të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur./mxh
