Në një intervistë shumë ndryshe përballë Ilnisa Agollit në podcastin e saj Flet, që transmetohet në Top Channel dhe Top Albania Radio, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi u pyet për shtetin Bektashi dhe nëse mbi këtë ide, e cila ka mbi 1 vit që është propozuar prej Kryeministrit Rama, ka progres apo është arkivuar.
Baba Mondi me qetësi u shpreh se çdo gjë që niset nuk mund të arkivohet. Ai theksoi rëndësinë që Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve me seli në Tiranë nuk mundet të operojë si një OJF, por i duhet një status i veçantë diplomatik në mënyrë që të përgjigjet për besimtarët e saj përballë çdo shteti.
“Ne kemi 30 vjet që kërkojmë një status diplomatik të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Nuk mund të jetë një qendër botërore OJF. Ne kërkojmë këtë status. Shteti Shqiptar ka menduar ta bëj shtet, a do ta bëjë mini-shtet, a do ta bëjë Urdhër, atë do ta vendosë shteti. Kur të vendosi shteti, ne do të hyjmë ndërkombtarisht që të na njohin dhe shtetet e tjera si Kryegjyshatë Botërore Bektashiane. Duke patur një shtet, do të përballemi dhe me shtete ku janë bektashinjtë dhe nuk i kanë të drejtat” – tha Baba Mondi.
Kur u pyet nëse a i vlen shqiptarëve ndarja e këtij komuniteti në krijimin e nje shteti tërësisht të pavarur, Kryegjyshi Bektashi bëri një paralelizëm me modelin e Vatikanit. “Ç’humbet Italia nga Vatikani?” – tha ai, duke vënë theksin që një model i tillë jo vetëm funksionon, po shton një proces harmonik midis shtetit dhe besimit. Gjithashtu Baba Mondi rikujtoi sakrificat që kanë bërë bektashinjtë për Shqipërinë, duke mos e ndarë asnjëherë identitetin e tyre fetar nga ai kombëtar.
“Ne shqiptarë jemi, ça do i bëjmë Shqipërisë? A kemi dhënë? A jemi masakruar për Shqipërinë? Skënderbeu, bektashi ka qenë, që i mblodhi. Kush e ka bërë përveç Skënderbeut? Asnjë. Ishte atje… ishte bektashi! Babain e Bektashinjve e ka djegur të gjallë sulltani, se i tha, ti ke të drejtë ta sjellësh Skënderbeun këtu prapë. Dhe ai ka vajtur të luftojë për kombin e vetë” – shtoi Baba Mondi në Flet përballë Ilnisa Agollit.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve theksoi faktin që të dy grupimet janë vëllezër me njëri tjetrin dhe besimtarët duhet të udhëhiqen nga Zoti nëpërmjet mendjes, sepse feja është mendja.
“Si dihet, feja Islame është ndarë në dy degë, Sunni dhe Shia. Po kudo që janë, edhe Shia edhe Sunnit janë vëllezër, kanë një fe, kanë një Zot, kanë një Kur’an, kanë një profet i cili i udhëheq njerëzit në rrugën e vërtetë. Siç thotë Profeti Muhamed (a.s), feja është mendja! Kush s’ka mend, s’ka fe! Zoti i udhëheq njerëzit në rrugën e vërtetë, prandaj kanë ardhur profetët, nga Ademi deri te Profeti Muhamed (a.s). Dhe nga Profeti Muhamed (a.s), rënia në Qerbela e Imam Hyseinit tregoi që pa mund, pa sakrifica dhe pa vuajtje nuk kalon kjo botë.” – u shpreh Baba Mondi.
Në momentin kur u pyet nëse prej besimtarëve myslimanë ka paragjykim dhe stigmatizim kundrejt besimtarëve bektashi, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve la të kuptohet që janë pikërisht udhëheqësit fetar që shpeshherë bëjnë interpretime të gabuara dhe duhet të jenë të kujdesshëm, ndërkohë që besimtarët nuk kanë asnjë faj.
“Sunnitët dhe Bektashinjtë, domethënë shiitët, janë vëllezër, motra ime. Nuk është faji i fesë, faji është i udhëheqësve të fesë, të cilët duhet ta interpretojnë me drejtësi dhe me paqe Kur’anin dhe fjalën e Profetit. Se janë udhëheqës, nuk është faji i besimtarëve, është faji i udhëheqësve. Ne si udhëheqës do të jemi shëmbuj për besimtarin, për qytetarin dhe për këdo që ne drejtojmë” – tha Baba Mondi përballë Agollit
Baba Mondi u shpreh me tone të drejtpërdrejta për themelet mbi të cilat qëndron një komb, duke theksuar se “një komb e ruajnë prona dhe fiset”, dy elementë që sipas tij janë dëmtuar rëndë në realitetin shqiptar.
Kryegjyshi Botëror heq përgjegjësinë nga qytetarët e zakonshëm, duke e vendosur theksin te lidershipi politik. Sipas tij, populli ndjek ligjet dhe orientimet që i jepen, ndaj faji për situatën aktuale bie mbi udhëheqësit dhe mënyrën si ata kanë drejtuar vendin. Njerëzit i ndjekin ligjet, por nëse ato nuk i përgjigjen atyre, nuk është faji i tyre.
Sa i përket rrezikut nga radikalizimi fetar, mesazhi i Baba Mondit është i prer. Shoqëria shqiptare nuk kërcënohet nga faktorë të jashtëm, por nga devijimet e brendshme. Ai theksoi se përgjegjësia i takon udhëheqësve fetar, që duhet të interpretojnë siç duhet librat e shenjtë, për të dhënë mesazhe për dashuri dhe jo përçarje midis besimtarëve.
“Ne nuk jemi të rrezikuar. Çdo armik vjen nga vetja, nuk vjen nga të tjerët. Prandaj thashë, merru me veten, mos u merr me të tjerët. Secili do të japë llogari para Zotit, jo para meje. Nuk kemi të drejtë të gjykojmë ne njerëzit. Ato janë rryma të cilat janë për të përçarë njerëzit, që nuk janë njerëz në radhë të parë, se ata nuk bëjnë terror. Nuk duhet të bësh vrasje, duhet të jesh i dashur, i mirë, siç thotë feja” – theksoi Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.
Gjithashtu Baba Mondi vendosi theksin me një deklaratë sa të guximshme por dhe të vërtetë. “Nëse feja ngatërrohet me politikën dhe me paranë, nuk është më fe, por pushtet”. Në këtë mënyrë ai paralajmëroi çdo formë që rrezikon devijim dhe përçarje brenda besimit zhvesh atë nga thelbi shpirtëror dhe e kthen në instrument pushteti.
