Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda dënoi përmes një deklarate përdorimin e një shprehjeje raciste në transmetimin e drejtpërdrejtë të emisionit “Ferma VIP”.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda dënoi të martën me një deklaratë zyrtare përdorimin e një shprehjeje që përmban gjuhë raciste nga moderatorja e emisionit “Ferma Vip” në televizionin kombëtar “Vizion Plus”.
“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi është njohur me përmbajtjen e emisionit ‘Ferma Vip’, në operatorin kombëtar ‘Vizion Plus’ datë 30.3.2026, në lidhje me përdorimin e gjuhës së papërshtatshme, steriotipeve, që mund të krijojë shqetësime tek komunitetet,” deklaroi Gajda.
Komisioneri shprehu më tej keqardhjen për përdorimin e gjuhës së papërshtatshme dhe steriotipeve racore, të cilat nëse nuk parandalohen në kohë reale mund të përhapen në rrjetet sociale duke dëmtuar edhe më gjerë personat e përfshirë. Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, moderatorja Arbana Osmani kërkoi ndjesë për shprehjen e përdorur.
Sipas raportit të fundit vjetor të Komisionerit kundër Diskriminimit në Shqipëri, vetëm gjatë vitit 2025, janë marrë 22 vendime mbi ankesat apo çështjet “ ex-officio”, ku është pretenduar diskriminim për shkak të racës nga aktorë të ndryshëm në vendin tonë.
Lidhur me rastin në fjalë, Komisioneri i bëri thirrje produksionit të emisionit “Ferma VIP” të marrë masa për parandalimin e gjuhës së papërshtatshme në transmetimet e tyre, pasi këto deklarata ndikojnë në opinionin publik dhe qëndrimet diskriminuese ndaj grupeve të caktuara.
“KDM çmon se platformat televizive kombëtare me rezonancë të lartë në shoqëri, kanë përgjegjësi publike për mesazhe gjithëpërfshirëse, që luftojnë diskriminimin, promovojnë barazinë, si dhe respektojnë dinjitetin e çdokujt,” deklaroi komisioneri./reporter.al
