Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, njoftoi të martën (31 mars) se ka planifikuar një takim virtual me negociatorët amerikanë të mërkurën. Ai tha se gjatë bisedimeve do t’i kërkojë Uashingtonit të transmetojë propozimin e Kievit për një armëpushim mbi sulmet ndaj infrastrukturës energjetike drejt Moskës.
Në një deklaratë për mediat gjatë përkujtimit të masakrës së Bucha-s, Zelenskiy tha se nëse Moska nuk pranon armëpushimin, Ukraina do të vazhdojë të përgjigjet me sulme ndaj objektivave ruse.
Ai shtoi se sekretari i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov, ndodhet aktualisht në Turqi për bisedime me disa vende, pa dhënë detaje të tjera.
“Nëse ata na sulmojnë, ne do të përgjigjemi. Nëse bien dakord të ndalojnë sulmet mbi infrastrukturën energjetike, do të përgjigjemi në mënyrë reciproke.”
Ai gjithashtu komentoi situatën ndërkombëtare:
“Rusia po ushtron presion mbi Shtetet e Bashkuara. SHBA-të gjithashtu mund të ushtrojnë presion mbi Rusinë, por aktualisht është Rusia që po vepron kështu, veçanërisht para zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA. Shpresojmë që negociatat të kthehen në logjikë, jo në emocionet e Rusisë.”
Në ceremoninë përkujtimore të masakrës së Bucha-s, Zelenskiy dhe bashkëshortja e tij, Olena Zelenska, vendosën qirinj për viktimat dhe mbajtën një moment heshtjeje./mxh
