Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në mbledhjen e ditës së djeshme ka miratuar rregulloren për zbatimin e regjimit të autorizimit të përgjithshëm.
Rregullorja e re e miratuar përcakton kuadrin rregullator të zbatimit të regjimit të autorizimit sa u përket rrjeteve dhe shërbimeve elektronike.
Miratimi i kësaj rregullore, përcakton procedurat për hyrjen dhe operimin në tregun e komunikimeve elektronike dhe gjitashtu saktëson detyrimet dhe të drejtat e subjekteve që ofrojnë shërbime.
Njoftimi
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), me Vendimin e Këshillit Drejtues nr. 10, datë 31.03.2026, ka miratuar rregulloren “Për zbatimin e regjimit të autorizimit të përgjithshëm”, në përputhje me kërkesat e Ligjit nr. 54/2024 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë”.
Kjo rregullore përcakton kuadrin rregullator për zbatimin e regjimit të autorizimit të përgjithshëm për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë, duke vendosur një qasje të unifikuar dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian dhe me parimet e Kodit Evropian të Komunikimeve Elektronike (EEÇ).
Nëpërmjet këtij akti:
përcaktohen rregullat dhe procedurat për hyrjen dhe operimin në tregun e komunikimeve elektronike;
saktësohen të drejtat dhe detyrimet e subjekteve që ofrojnë rrjete dhe/ose shërbime;
vendosen kërkesa ligjore, teknike dhe financiare të standardizuara për të gjithë operatorët;
forcohen mekanizmat mbikëqyrës dhe instrumentet e autoritetit për garantimin e sigurisë së rrjeteve dhe mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve.
Dokumenti synon të krijojë një mjedis rregullator të qëndrueshëm, transparent dhe të parashikueshëm, duke kontribuar në zhvillimin e një tregu konkurrues dhe funksional të komunikimeve elektronike.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare fton të gjitha palët e interesuara të njihen me përmbajtjen e plotë të rregullores të publikuar në faqen zyrtare të institucionit.
Gjithashtu, AKEP do të organizojë një takim informues me pjesëmarrjen e operatorëve të tregut të komunikimeve elektronike, ku do të prezantohen në mënyrë të detajuar kërkesat, detyrimet dhe procedurat e reja të parashikuara nga ky akt, si dhe do të ofrohet mundësia për diskutim dhe adresimin e çështjeve që lidhen me zbatimin./mxh
