Last Updated on 01/04/2026 by EL
Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) ka kërkuar heqjen e imunitetit për 11 anëtarë të parlamentit grek, si pjesë e një hetimi mbi një skemë të dyshuar mashtrimi të organizuar për subvencionet bujqësore të BE-së.
“Pesë ish-ligjvënës janë gjithashtu nën dyshime, ndërsa informacioni rreth përfshirjes së mundshme të një ish-ministri të Bujqësisë dhe një sekretari shteti i është përcjellë parlamentit”, tha sot autoriteti i BE-së.
Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis e përshkroi hetimin si “serioz” dhe deklaroi se qeveria po priste transferimin e dosjeve në parlament për të shqyrtuar secilin rast individualisht.
Hetimet kanë vazhduar prej disa muajsh ndaj fermerëve që dyshohet se kanë përfituar në mënyrë mashtruese miliona euro në subvencione duke dhënë informacione të rreme.
Thuhet se janë përfshirë edhe zyrtarë publikë të Agjencisë Greke të Pagesave dhe Kontrollit për Udhëzime dhe Garanci të Ndihmave Komunitare (OPEKEPE).
Akuzat përfshijnë shkelje të besimit, mashtrim kompjuterik dhe dëshmi të rreme me qëllim – për përfitime të paligjshme.
Sipas ligjit grek, provat për vepra të mundshme penale nga anëtarët e qeverisë ose parlamentit duhet t’i paraqiten parlamentit, i cili më pas vendos për heqjen e imunitetit.
EPPO është përgjegjëse për hetimin, ndjekjen penale dhe sjelljen para drejtësisë të veprave penale që prekin interesat financiare të Bashkimit Evropian./et
